Dita e nesërme 24 korriku, shënon fundin e presidencës së Ilir Metës dhe nisjen e një rrugëtimi 5-vjeçar për Presidentin e ri Bajram Begaj.
Begaj do të betohet në një seancë të posaçme parlamentare, që do të zhvillohet ditën e nesërme më 24 korrik në orën 18:00 në Kuvend, por jo të gjithë palët politike do të marrin pjesë në seancë.
“Top Channel” ka kontaktuar me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha, të cilët konfirmuan se do e bojkotojnë seancën plenare te betimit te Presidentit Bajram Begaj, duke arsyetuar se zgjedhja e presidentit të ri ishte antikushtetuese.
Gjithashtu “Top Channel” kontaktoi edhe me kampin që mbështet Enkelejd Alibeaj, të cilët kanë ndryshuar qëndrim dhe ndryshe nga sa vepruan ditën e zgjedhjes se Presidentit te ri, konfirmuan se kanë vendim për të qenë prezent në seancë dhe në pritjen që do zhvillohet ne Presidencë.
Bajram Begaj, propozim i Partisë Socialiste, u zgjodh President në seancën parlamentare të 4 qershorit 2022, me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Begaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, do të jetë presidenti i 8-të i vendit që pas shpalljes së pluralizmit.