Anëtari i Kryesisë së PD, Agron Kapllanaj, duke komentuar konfiskimin e Rtv Ora thotë se qeveria e sheh pushtetin e katërt si rrezik.
Në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj, ai thotë se të mbyllësh gojën e medias do të thotë të mbyllësh gojën e qytetarëve përmes gjykatës apo forcës së pushtetit.
Kapllanaj: Pushteti i katërt është ai pushtet që është dhe rreziku i qeverisë. Nëse mediat e pavarura pasqyrojnë drejt çdo ngjarje, çdo situatë politike, ekonomike apo çfarëdolloj qoftë do të thotë se qeverisë nuk i shkon për shtat. Nëse do ishin mediat e pavarura nuk do ishim këtu ku jemi.
Nuk është hera e parë që ndodh që pushtetarë kërcënojnë media me mbyllje, sidomos Edi Rama. Sapo ka ardhur në pushtet ka mbyllur një media dhe ajo media na ka kushtuar 130 mln euro dhe vazhdon të bëjë presion në ato media që nuk i binden, apo ata pronarë mediash që nuk i binden për të bërë editorialin që i shkon për shtat qeverisë.
Dhe rasti konkret, nuk jam njohur në detaje me vendimin apo arsyen, por nëse është një vendim që cënon lirinë e medias, një vendim i cilësdo gjykatë që është i marrë nën trysni dhe presion të qeverisë, ky është fundi.Të mbyllësh gojën e medias do të thotë të mbyllësh gojën e qytetarëve përmes gjykatës apo forcës së pushtetit.
Duke nënvizuar se në vend nuk vendos më ligji por një njeri, Kapllanaj përshkruan edhe rrugëtimin politik që e ktheu Ramën në njeriun më të pushtetshëm sot.
Kapllanaj: Rama është një nga njerëzit më të pushtetshëm sot dhe këtë pushtet e ka marrë në 2013 pas një keqqeverisje në katërvjeçarin e dytë të PD dhe pas 1 milion shuplakave që na dhanë ne në atë kohë.
Pas kësaj ishte 2017, dihet si shkuan ngjarjet pas çadrës së famshme të PD dhe pastaj në 2018 opozita dogji mandatet dhe një pjesë e mirë e deputetëve që morën mandatet ishin disa deputetë që linin për të dëshiruar nga të gjitha anët.
U bën shtojcë e qeverisë Rama, ndryshuan dhe Kushtetutën që i dha Edi Ramës një mandat të tretë. Këtu nuk vendos më ligji por një njeri.