Në shenjë solidariteti me 15 viktimat e tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, studentët e Fakultetit të Organizimit dhe të Fakultetit të Shkencave Politike në Serbi kanë bllokuar për 15 minuta bulevardin Oslobogjenje.
Nga të dyja anët u formuan kolona makinash, por aksioni kaloi pa incidente, shkruan danas.
Qarkullimi është ndërprerë në Bulevardin e Oslobogjenje dhe para Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, ku edhe studentët kanë bërë nderime për viktimat në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Studentët e Fakultetit të Bujqësisë në Zemun kanë bllokuar trafikun në rrugën Nikolaj Ostrovski, duke nderuar viktimat e rënies së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Për dallim nga e diela, kur një vozitës hyri me veturën e tij në mes të studentëve, sot nuk ka pasur incidente apo provokime, sepse policia rrugore e ka bllokuar hyrjen në atë rrugë nga të dy anët – nga sheshi Avijatiqari dhe nga rruga 22 Tetori.
Bllokada, ku morën pjesë rreth 200 studentë dhe aktivistë u zhvillua në heshtje absolute, ndërsa pjesëmarrësit mbanin pankarta ku ndër të tjera shkruhej: “Nëse edhe unë vdes si pasojë e korrupsionit, politizoni vdekjen time”, “Egjrat mbijetojnë në një kopsht të lënë pas dore si padrejtësia në gjendje të lënë pas dore”, “Po mbillni përralla, korrni padrejtësi”.
Në pankarta shkruhej edhe “Jeta nuk është lojë, na ka zënë qeveria e kalbur”, “Jetët nuk janë sanë, nuk duhet t’i shkelim”, “Si mbjell, ashtu korr”, “Mbillni pakujdesi, korrni humbje”, “Në vendin e fshatarëve, përralla e përgjakshme vazhdon ende”.
Kujtojmë se për shkak të mungesës së përgjegjësisë penale për tragjedinë në Novi Sad dhe dhunës ndaj studentëve gjatë protestave, i gjithë Universiteti i Beogradit është aktualisht në bllokadë, si dhe të gjitha fakultetet në Novi Sad.
Studentët në Serbi që nga fundi i nëntorit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për situatën socio-politike në vend. Ata kanë bllokuar fakultetet, ku aktualisht janë të bllokuara mbi 40 sosh.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe qeveritarë serbë i kanë akuzuar studentët se po përpiqen të rrëzojnë pushtetin, duke i quajtur “mercenarë të huaj” e “rrugaçë”.
Burimi: botasot.info