Asgjë nuk e ndikon më shumë moralin e punonjësve sesa negativiteti i vazhdueshëm në vendin e punës. Shteron energjinë e organizimit tuaj dhe heq vëmendjen për shkak të kritikave. Negativiteti shfaqet në sjellje, në këndvështrimin dhe në debatet e njërit prej kolegëve ose të eprorit.
Nëse jeni menaxher ose pjesë e stafit të burimeve njerëzore, jeni vazhdimisht në kontakt me të gjithë punonjësit e kompanisë. Kjo gjë bën të mundur që të perceptoni negativitetin në vendin e punës. Ju lejon t’i kushtoni vëmendje sinjaleve të alarmit, se jo gjithçka shkon ashtu siç duhet. Do të merrni ankesa nga punonjësit, të cilët do të largohen dhe do të kuptoni reputacionin e kompanisë ku punoni.
Negativiteti është një problem gjithnjë e në rritje në punë, sipas Gary S. Topchik, autor i “Managing Workplace Negativity”. Në një artikull të botuar në “Review Review”, negativiteti në punë është shpesh rezultat i mungesës së përvojës, paaftësisë, inferioritetit dhe mungesës së bashkëpunimit.
Të kuptoni se cilët janë njerëzit negativë, është hapi i parë për të zgjidhur problemin.
Kur negativiteti është pjesë e punës suaj, flisni me punonjësit dhe kolegët, pasi do t’ju ndihmojë të kuptoni problemet dhe nivelin e ndikimit që ka në punën tuaj.
Ndoshta eprorët kanë marrë një vendim që ju ka ndikuar negativisht. Ndoshta drejtori ka bërë një mbledhje personeli dhe ju ka kërcënuar ose injoruar për pyetje krejtësisht legjitime. Ndoshta pjesëtarët e stafit ndihen të pasigurt, sepse ekziston shqetësimi se mos humbasin punën. Ndoshta ndjeni se jepni më shumë për kompaninë ku punoni dhe merrni shumë më pak. Mund të jeni dëshmitar që një koleg keqtrajtohet psikologjikisht, e kështu me radhë. Janë të gjitha shqetësime që jua prishin qetësinë në punë.
Cilido qoftë shkaku i negativitetit në vendin e punës, është e nevojshme të përballeni me problemet. Në të kundërt, do të shndërroheni në një vullkan që në dukje është i qetë, por vlon nën sipërfaqe dhe shumë shpejt mund të shpërthejë duke shkaktuar dëme të reja.
Kini parasysh se: mënyra më e mirë për të luftuar negativitetin në punë është që të mos jeni ju personi që e shkaktoni atë.
Po si ta mbani larg këtë negativitet?
Mjaftojnë shumë pak persona për të demoralizuar të gjithë personelin. Nuk është asnjëherë e thjeshtë të menaxhoni situata të tilla, sidomos nëse bëhet fjalë për qetësinë në punë. Secili prej nesh ka një personalitet të ndryshëm, dhe ndonjëherë, përballë eprorëve që ankohen pa të drejtë, që krijojnë probleme, që kritikojnë, ndihemi të pafuqishëm dhe të frustruar, pothuajse të nënshtruar për të duruar dhe për të mos shkaktuar më shumë probleme. Por, duke toleruar më tepër dhe për shumë kohë, nuk është strategjia më e mirë, duke qenë se pasojat bien drejtpërdrejt mbi ekuilibrin psikologjik.
Pasojat negative
Në mënyrë që të kaloni sa më qetë në punë, është i nevojshëm që të ekzistojë një element thelbësor: harmonia. Falë saj, mund të ndërtohen marrëdhënie besimi dhe respekti, pa stres dhe pa u prekur nga negativiteti i krijuar nga dikush. Stresi pasiv (stresi i dikujt tjetër që na përfshin dhe ne), ka tendencën që të shkatërrojë gjendjen pozitive të humorit, e cila duhet të mbizotërojë në trurin tonë, gjë që nuk ndodh nëse prekemi nga emocionet e të tjerëve. Pasojat janë të paevitueshme: rënie produktiviteti, të pasuara nga ankthi dhe nervozizmi i vazhdueshëm.
Po, sepse cilado qoftë arsyeja e negativitetit, problemet dhe momentet e tensionit në këto situata mund të rriten dhe të kenë një ndikim negativ jo vetëm për ne dhe kolegët, por edhe për vetë ndërmarrjen.
Shkenca ka treguar se truri ynë është i prirur ndaj prekjes emotive. Ndjenjat udhëtojnë nëpërmjet neuroneve të ashtuquajtura pasqyrë, qeliza nervoze të veçanta që bëjnë të mundur që të hyjmë në empati me të tjerët. Në këtë mënyrë, fatkeqësisht truri asimilon edhe humorin e keq, frikën dhe pasigurinë. Në bazë të një studimi të Universitetit të Kalifornisë, nëse në fushën tonë vizive është dikush që përjeton ankth, jemi automatikisht të prekur dhe përjetojmë të njëjtën ndjesi, të cilat kanë ndikim të ndjeshëm në sistemin tonë nervor.
Këshilla për një epror
Jepini punonjësve mundësinë që të shprehin mendimin e tyre mbi procedurat në vendin e punës. Jini të ndershëm me ta. Ofrojini mbështetje dhe flisni ballazi, duke mos krijuar distancë nëpërmjet e-maileve. Interesohuni vetë për punën që bëjnë, pagën që marrin, orët e punës për punën që kryejnë. Këto faktorë janë më afër mendjes, zemrës së çdo individi. Ndryshimet e këtyre faktorëve mund të shkaktojnë përgjigje të rënda negative.
Trajtojini punonjësit si të rritur, me barazi dhe koherencë. Mos i trajtoni si të vegjël, mos i fyeni, mos vendosni barriera. Zhvilloni politika dhe procedura, të cilat e organizojnë në mënyrë të efektshme punën. Jini koherentë. Për shembull: çdo punonjës të ketë mundësinë të marrë pushimet vjetore atëherë kur ka nevojë, pa pasur kundërshtinë tuaj.
Trajtojini punonjësit si të denjë për besimin dhe respektin tuaj, sepse të tillë janë. Filloni nga besimi kur merrni në punë një punonjës të ri. Kontrollojeni punën e tij, vërtetësinë e asaj çka thotë, për të konfirmuar nëse e meriton besimin tuaj apo jo. Mos filloni me bindjen se punonjësit duhet ta fitojnë vetë besimin tuaj. Kjo sjellje do t’ju garantojë vetëm negativitet në punë. Nëse nuk keni besim te vartësit, do ta kuptojnë dhe do t’ju urrejnë për këtë gjë.
Mos vendosni rregulla për të gjithë punonjësit, kur vetëm pak persona i thyejnë ato. Mos krijoni marrëdhënie vetëm me një apo dy punonjës (të cilët me shumë gjasa janë ata servilët dhe që spiunojnë gjithmonë). Doni të pakësoni numrin e rregullave që orientojnë sjelljen e punonjësve në punë? Trajtojini ata si të rritur. Zakonisht do të jenë në lartësinë e pritshmërive tuaja dhe të të vetave.
Ndihmojini punonjësit të ndihen pjesëtarë të ekipit. Çdo njeri dëshiron të ketë të njëjtat informacione, njësoj si kolegët e tjerë. Komunikojini vendimet në mënyrë të efektshme dhe të vazhdueshme. Kjo gjë është e domosdoshme për të ulur negativitetin në punë, për t’u ofruar kolegëve siguri dhe për të marrë mbështetje prej tyre.
Jepni pagën dhe shpërblimet e duhura në mënyrë që punonjësit të kuptojnë se e kanë merituar për punën që kanë bërë. Fuqia e shpërblimeve dhe e mirënjohjes është shumë e dukshme për të pasur një frymë pozitive në punë. Shpërblimi dhe mirënjohja janë dy nga instrumentet më të fuqishme që një kompani mund të përdorë për të forcuar moralin e çdo punonjësi dhe për të rritur produktivitetin e një kompanie.