Në Zhegër të Gjilanit u mbajt takimi me banorët në kuadër të fushatës “Çdo plumb e ka një shënjestër”

min lexim

Në kuadër të fushatës :”Çdo plumb e ka një shënjestër Festo me zemër, jo me armë”, Ministria e Punëve të Brendshme, mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe në bashkëpunim me komunën e Gjilanit, mbajtën sot takim  me  banorët lokalë, nxënësit dhe me përfaqësuesit e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në shkollën fillore “Agim Ramadani” në fshatin Zhegër të Gjilanit.

Në këtë takim morën pjesë, Koordinatori Kombëtar për AVL-të, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani, kryetari i komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, z.Niels Knudsen, anëtarët e KKSB-së në Gjilan, nxënës dhe arsimtarë.

Me këtë rast zëvendësministri Gashani i falënderoi të pranishmit për takimin e përbashkët, me rastin e shpërndarjes së mesazheve në kuadër të fushatës vetëdijesuese që është duke u zhvilluar “Festo me Zemër, Jo me Armë”,  për t’u bashkëngjitur të gjithë në vetëdijesimin shoqëror lidhur me parandalimin nga pasojat e përdorimit të armëve të paligjshme në Kosovë.

“Ndërveprimi dhe bashkëpunimi mes grupeve kriminale me ato terroriste, nuk njeh kufij ndarës, prandaj edhe qasja e kësaj fushate dhe projektit të përbashkët në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duhet të jetë qasje ndërinstitucionale dhe ndërkufitare”, theksoi zëvendësministri Gashani

Zëvendësministri Gashani vuri në dukje se mbajtja pa leje e armëve të zjarrit në vendin tonë aktualisht është shqetësuese. Kjo, për shkak të situatës së trashëguar në vite, por edhe për shkak të rritjes së qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, gjë që sjell si pasojë edhe rritjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit të paligjshëm të armëve dhe municioneve.

Koordinatori Kombëtar, z. Blerim Gshani  në komunikim të drejtpërdrejtë edhe me qytetarë të komunës së Gjilanit, potencoi se  siguria është një nga kushtet elementare për zhvillimin e jetës shoqërore dhe ekonomike në çdo vend.

Dhe për këtë ai theksoi se Ministritë e Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në mbështetje të UNDP-së në të dyja shtetet, ka organizuar këtë aktivitet, që  ka për synim që bashkërisht të bëjmë parandalimin e keqpërdorimit të armëve të zjarrit, bashkëpunimin reciprok në mes të qytetarëve dhe organeve të zbatimit të ligjit, parandalimin e gjuajtjeve festive dhe në përgjithësi krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut e rrjedhimisht për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa Kryetari i Gjilanit, z. Alban Hyseni, theksoi se simbolika e mbajtjes së këtij aktiviteti  në shkollën që mban emrin e heroit kombëtar Agim Ramadani, është e rëndësishme edhe për krahasim, heroi ynë ka treguar edhe dimensionin se kur ka qenë e nevojshme të përdorën armët janë përdorur, por në asnjë mënyrë të mos përdorën armët gjatë ahengjeve, sepse me të drejtë  çdo plumb që gjuhet lart bie gati me shpejtësinë e njëjtë në tokë.

Hyseni po ashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se kjo do të ndihmojë në përmirësimin e sigurisë në të dy vendet dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, z.Niels Knudsen vuri në pah se për UNDP, është nder që kemi qenë partneri juaj për gati 15 vjet, në punën së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe akterët dhe institucionet tjera të zbatimit të ligjit në nivel lokal dhe qendror, në ndërtimin dhe sigurimin e një mjedisi të sigurt për popullin e Kosovës.

Ai i përgëzoi të gjithë për punën e bërë dhe theksoi se mezi pret që të sheh që mesazhi i kësaj fushate të përbashkët ndërgjegjësuese mund t’i inkurajojë njerëzit në Kosovë që të marrin parasysh fushatën, të respektojnë ligjin për armët, të bashkëpunojnë ngushtë me zyrtarët e tyre të policisë në komunitet, për të krijuar një mjedis të sigurt dhe paqësor për të gjithë.

Fushata “Çdo plumb e ka një shënjestër-festo me zemër jo me armë”, ka filluar me 6 nëntor me një manifestim hapës që është mbajtur njëkohësisht në Prishtinë dhe Shkup. Në kuadër të aktiviteteve për këtë fushatë janë realizuar spote televizive, banera, broshura, që janë duke u transmetuar në media kombëtare dhe lokale, media online etj. Në planin për këtë  fushatë janë paraparë edhe takime të drejtpërdrejta me qytetarë, që jetojnë afër brezit kufitar, siç ishte edhe takimi i sotëm në Zhegër të Gjilanit.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Sekuestrohen 15 kg kannabis në Kapshticë, arrestohet transportuesi

Story i radhës

Juventusi e kërkon Odriozolan e Real Madridit

Të fundit nga