Justifikimet se dikush na ka bërë keq kanë një datë skadimi, ndërsa në fund të ditës, gjëja më e rëndësishme është rezultati. Si në sport, ashtu edhe në politikë
Shkruan: Destan Jonuzi
Popullizmi elektorale do të fillojë të shuhet dhe të gjitha ato premtime të paarsyeshme dhe të pabaza do të fillojnë të tërhiqen gradualisht, sepse është e qartë se – Marrëveshja e Prespës dhe ajo për fqinjësi të mirë janë realitet dhe punë e kryer.
Korniza e negociatave (propozimi francez) për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian nuk mund të ndryshohet. Është mirë që këtë filloi ta kuptojë edhe VMRO-DPMNE – pas marrjes së pushtetit. Me sa duket opozita e deridjeshme – pushteti i sotshëm kërkon një lloj lëvizje politiko-diplomatike nga bashkësia ndërkombëtare që mund ta paraqesin si garanci për të ashtuquajturin e saj “diktat” bullgar.
Por, realitet thotë se – Maqedonia e Veriut nuk ka problem me Bullgarinë, por me Bashkimin Evropian. Korniza e negociatave është rezultat i një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian dhe kjo marrëveshje është domethënëse dhe na lejon të ecim përpara drejt integrimit evropian – veçanërisht në këto kohë kur Moldavia dhe Ukraina po fillojnë negociatat. Çdo ditë e humbur është praktikisht një ditë e humbur për vet Maqedoninë e Veriut.
Për momentin, detyra më e rëndësishme e qeverisë së re është që kryeministri të pranojë se ai dhe partnerët e tij nuk mund të veprojnë më si opozitë. Drejtimi i qeverisë ka një tjetër synim dhe një përgjegjësi të madhe për të realizuar interesat strategjike të shtetit, për të mos tejkaluar në tension me fqinjët për nevoja të brendshme dhe njëkohësisht për të vendosur kushte sikur të ishim një superfuqi evropiane apo atomike.
Justifikimet se dikush na ka bërë keq kanë një datë skadimi, ndërsa në fund të ditës, gjëja më e rëndësishme është rezultati. Si në sport, ashtu edhe në politikë.
Kështu është apo jo?
Krijimi i një mjedisi për të fituar pushtetin me fjalime të zjarrta të djathta, madje në disa raste edhe radikale – për gjoja rrezikun dhe rrënimin e Maqedonisë dhe vdekjen klinike të shtetit për shkak të tradhtarëve dhe mashtruesve është shumë ndryshe nga zbatimi i reformave dhe anëtarësimi në BE.
Në Bruksel dhe Uashington nuk njohin kryeministra me një fron “mbretëror” për përdorim shtëpiak dhe një karrige elektrike të tensionit të lartë, çelësat e së cilës janë në Athinë, Sofje, BE dhe SHBA.
Nëse e përkthejmë gjuhën diplomatike në një gjuhë të kuptueshme për lidershipin e Shkupit, është: Nëse nuk i respektoni marrëveshjet që keni pranuar, do të hyni në BE në verën e qyqeve.