BEHLÜL ÇETINKAYA
Ndërkohë që popullsia e botës pritet të jetë 8,5 miliardë në vitin 2030 dhe 9,7 miliardë në 2050, familjet e krijuara nga martesat e njerëzve të racave të ndryshme dhe popullsia imigrante, veçanërisht në vendet perëndimore, janë në rritje.
Sipas informacionit të përpiluar nga Anadolu nga të dhënat e Organizatës për Zhvillim Ekonomik dhe Bashkëpunim (OECD), Kombeve të Bashkuara (OKB), Komisionit Evropian dhe vendeve të ndryshme evropiane, popullsia e atyre që e cilësojnë veten si fëmijë të prindërve të racave të ndryshme apo si imigrantë po shtohen.
Sipas të dhënave të OKB-së, ndërsa popullsia e botës pritet të arrijë në 8,5 miliardë në 2030 dhe 9,7 miliardë në 2050, në vitin 2100 kufiri prej 10 miliardë do të tejkalohet. Hulumtimi i OECD-së me 38 anëtarë, jep informacion mbi ndryshimet demografike duke trajtuar të ardhmen e familjeve në popullsinë në rritje.
Sipas raportit të OECD-së “E ardhmja e familjeve deri në vitin 2030”, numri i familjeve pa fëmijë në vendet anëtare të organizatës është pothuajse gjysma e të gjitha familjeve. Ndërsa 15 për qind e të gjithë fëmijëve të shteteve anëtare kanë vetëm një prind, 10 për qind jetojnë me gjyshërit e tyre.
Midis 38 anëtarëve të OECD-së, përfshirë SHBA-në, Britaninë, Kanadanë, Gjermaninë dhe Francën, popullsia e imigrantëve, veçanërisht në Evropë, deri në vitin 2050 vlerësohet të rritet në 15 deri në 32 për qind.
Minoritetet pritet të jenë shumicë në SHBA
Sipas raportit, në SHBA, parashikohet që popullsia e fëmijëve nga grupet që konsiderohen minoritete të bëhet shumicë në gjithë popullsinë fëmijërore këtë vit, ndërsa në vitin 2042 në SHBA pakicat do të jenë shumicë.
I njëjti raport përfshin gjithashtu parashikimin e martesave të bëra nga imigrantë dhe njerëz të kombësive të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas kësaj, pritet që në vitin 2031, 27 për qind e popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar do të përbëhet nga pakicat dhe afërsisht një e treta e kësaj popullsie do të jenë fëmijë nën moshën 14 vjeç.
Ndërsa shkalla e njerëzve që e konsiderojnë veten si pasardhës të dy njerëzve të kombësive të ndryshme në vitin 2001 përbënte 1 për qind të të gjithë popullsisë, ky numër vlerësohet të rritet në 8 për qind në vitin 2050.
Gjithashtu, parashikohet që deri në vitin 2050, 26 për qind e fëmijëve në gjithë vendin të vijnë nga familje të tilla.
50 për qind e Luksemburgut janë imigrantë
Sipas raporteve të Bashkimit Evropian (BE), shtetet anëtare shpërndanë nënshtetësinë për më shumë se 800 mijë persona në vitin 2021, nga të cilët 700 mijë ishin nga vendet joanëtare. Ndër ta, marokenët përbënin grupin më të madh me mbi 80 mijë banorë, të ndjekur nga sirianë, shqiptarë dhe rumunë.
Sipas parashikimeve të popullsisë, migrimi do të ketë një ndikim pozitiv edhe në popullsinë e BE-së deri në vitin 2100 dhe do të jetë i vetmi faktor që kontribuon në rritjen e popullsisë.
Në Luksemburg, imigracioni është në një nivel që pothuajse do të ndryshojë strukturën demografike të vendit. Sot, afërsisht 47 për qind e vendit përbëhet nga imigrantë nga vendet anëtare të BE-së, kryesisht nga portugezët.
50 për qind e lindjeve në vend janë nga familjet e azilkërkuesve dhe imigrantëve.