Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të tre mujorit të tretë të 2024 ishte 3,83 milionë sipas raportit më të fundit të AKEP, një rritje me 3.6 përqind krahasuar me tre mujorin e kaluar dhe rënie me 2.6 përqind me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare ishte 2.8 milionë, një rritje me 11.1 përqind krahasuar me tre mujorin e dytë por rënie me 6.8 përqind krahasuar me tre mujorin e tretë të 2023.
Mesatarisht përdoruesit kanë konsumuar 125 minuta, 11 SMS dhe 8.54GB internet gjatë kësaj periudhe. Konsumi i interneti ka rënë me 2.8 përqind krahasuar me tre mujorin e mëparshëm por është rritur me 7.5 përqind krahasuar me tre mujorin e tretë të 2023.
Edhe konsumi mesatar i thirrjeve ra me 1.5 përqind ndërsa ai i SMS-ve pati rënien më drastike me 14.1 përqind.
Vodafone Albania është operatori me numrin më të lartë të pajtimtarëve të telefonisë celulare sipas kartave SIM dhe përdoruesve aktivë me 1.975 milionë dhe 1.525 milionë respektivisht. Vodafone shënoi rritje në të dy segmentet me 7.8 përqind dhe 15 përqind krahasuar me tre mujorin paraardhës.
One Albania kishte 1.857 milionë përdorues sipas kartave SIM dhe 1.336 milionë përdorues aktivë të telefonisë celulare, një rënie me 0.5 përqind dhe rritje me 7.3 përqind respektivisht për segmentet në fjalë.
Dy kompanitë raportuan një rritje të lehtë të pajtimtarëve me parapagesë. One Albania raportoi 63 përqind të pajtimtarëve me parapagesë nga 61.8 përqind që ishte në tre mujorin e dytë dhe Vodafone Albania 60.3 përqind krahasuar me 55.2 përqind.
Së fundi Vodafone Albania ka 1.424 milionë pajtimtarë që shfrytëzojnë internetin 3G/4G ndërsa One Albania 967 mijë.
/PCWorld Albanian
Burimi: pcworld.al