Numri i njerëzve që përballen me pasiguri akute ushqimore në mbarë botën është dyfishuar në 345 milionë që nga viti 2019 për shkak të COVID-19, konfliktit dhe ndryshimeve klimatike, ka njoftuar Programi Botëror i Ushqimit (WFP).
Përpara krizës së koronavirusit, 135 milionë vuanin nga uria akute në mbarë botën, tha Corinne Fleischer, drejtoresha rajonale e WFP.
Shifrat janë rritur që atëherë dhe pritet të vazhdojnë të rriten për shkak të ndryshimeve klimatike dhe konflikteve. Ndikimi i sfidave mjedisore është një tjetër faktor destabilizues që mund të shkaktojë mungesa ushqimore dhe të çojë në konflikt dhe migrim masiv.
“Bota thjesht nuk mund ta përballojë këtë. Ne po shohim tani 10 herë më shumë zhvendosje në mbarë botën për shkak të ndryshimit të klimës dhe konfliktit dhe sigurisht që është i ndërlidhur. Kështu që ne jemi vërtet të shqetësuar për efektin e kombinuar të COVID-it, ndryshimit të klimës dhe luftës në Ukrainë,” tha ajo.
Në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, ndikimi i krizës së Ukrainës ka pasur pasoja të mëdha, tha Fleischer, duke përmendur varësinë e rajonit nga importi, ashtu edhe afërsinë e tij me Detin e Zi.
“Jemeni importon 90 për qind të nevojave të tij ushqimore. Dhe rreth 30 për qind nga rajoni i Detit të Zi,” tha Fleischer.
WFP mbështet 13 milionë nga 16 milionë njerëz që kanë nevojë për ndihmë ushqimore, por kjo ndihmë mbulon vetëm gjysmën e nevojave ditore për shkak të mungesës së fondeve.
Kostot janë rritur me një mesatare prej 45 për qind që nga COVID dhe donatorët perëndimorë janë përballur me sfida të mëdha ekonomike me luftën në Ukrainë.
Siguria ushqimore është gjithashtu në rrezik në vendet eksportuese të naftës si Iraku, të cilat kanë përfituar nga rritja e çmimeve të naftës pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.
“Iraku ka nevojë për rreth 5.2 milionë tonë grurë, por ka prodhuar vetëm 2.3 milion tonë. Pjesa tjetër duhej të importohej, e cila ishte më e shtrenjtë se më parë”, tha Fleischer.