Argjentina fitoi pastër me rezultatin 3-0 miqësoren ndaj Honduras teksa golat u shënuan nga Lautaro Martinez dhe Lionel Messi që firmosi një dygolësh. La Seleçion vijon me paraqitjet pozitive para Botërorit, duke regjistruar tashmë kuotën e 34 ndeshjeve pa humbje.
Fryma në kombëtaren e trajnerit Lionel Scaloni është fantastike dhe bashkimin e kombëtares e tregon edhe një episod i minutës së 38-të kur Lionel Messi u përplas brutalisht në tokë nga kundërshtari.
Menjëherë, të gjithë lojtarët e kombëtares me në krye Rodrigo De Paul shkuan t’i kërkonin llogari lojtarit që shkaktoi faullin ndaj numrit 10 dhe për një çast situata doli jashtë kontrollit.
Gjithsesi, për fat, Messi e kaloi pa problem ndërhyrjen dhe në fund e vijoi normalisht ndeshjen duke gjetur edhe golin e dytë personal e të tretin e ndeshjes në fraksionin e dytë të lojës.