Në Serbi kërkohet shkarkimi i Vulinit

July 11, 2023
min lexim

Pasi administrata amerikane e vendosi në listë të zezë drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, zyrtarët institucionalë në Serbi nuk kanë pranuar që të komentojnë këtë vendim.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë Vulinin, Qeverinë serbe dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe disa anëtarë të partisë në pushtet, por ata nuk ishin të qasshëm për koment.

Ndërkaq, një pjesë e opozitës serbe ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Vulinit nga drejtimi i BIA-s.

Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), subjekt opozitare pro-evropian, deklaroi se kërkon nga kryeministrja Ana Bërnabiq, që në seancën e ardhshme të Qeverisë, ta shkarkojë menjëherë Aleksandar Vulinin nga pozita e drejtorit të BIA-s.

“Dihet që Aleksandar Vulin është kërcënim për sigurinë e Serbisë dhe rajonit dhe ishte vetëm çështje kohe që akuza të tilla të bëheshin. Fakti që një person i pakualifikuar si Vulini është në krye të BIA-s është gisht në sy për krejt botën dhe të gjithë qytetarët e Serbisë. Ai duhet të shkarkohet menjëherë”, tha përmes një deklarate Pavle Gërboviq, deputet i PSG-së.

Ai shtoi se fakti që drejtori i BIA-s është nën sanksione do të thotë se “Serbia është e kompromentuar sepse një person i tillë, që mban në pozitë të tillë, paraqet kërcënim direkt për sigurinë dhe është problem për të gjithë qytetarët”.

“Nuk duhet të lejojmë që i gjithë shteti të futet izolim”, theksoi ai.

Vulin u sanksionua për pretendime se është përfshirë në afera korruptive dhe trafikim të narkotikëve, por edhe për lidhjet e tij me Rusinë.

“Ai ka përdorur pozitat publike për të mbështetur Rusinë, për të lehtësuar aktivitetin malinj të Rusisë që degradon sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanin Perëndimor dhe i ofron Rusisë një platformë për të përhapur më tej ndikimin e saj në rajon”, u tha në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit.

Anëtarja e Komitetit të Parlamentit serb për kontroll dhe siguri të shërbimeve, Marinka Tepiq, nga Partia pro-evropiane për Liri dhe Drejtësi shkroi në Twitter se “Vulin është nën sanksione amerikane nën dyshimet për korrupsion dhe trafikim me narkotik. Le të shohim se çfarë mesazhi do të jetë ky për [presidentin e Serbisë] Aleksandar Vuçiqin”, shkroi ajo.

Borko Stefanoviq nga po e njëjta parti tha se për herë të parë në historinë e re serbe, kreu i një agjencie të sigurisë futet në listën e zezë amerikane për shkak të korrupsionit dhe përfshirjes në trafikim të drogës.

“Vulin është një dëm i madh për shtetin dhe interesat e qytetarëve”, tha Stefanoviq.

Ndërkaq deputeti nga lista pro-evropiane “Ne mundemi së bashku”, Nebojsha Zelenkoviq, tha se “rrethi po ngushtohet”.

Ish-anëtari i Partisë Progresiste Serbe – që është në pushtet – Dragan Shormaz, tha se sanksionimi i Vulinit “është vetëm fillimi”, pasi sipas tij, në listën e sanksioneve do të futen edhe “bashkëpunëtorë të tjerë të ngushtë” të presidentit Vuçiq.

Çfarë thotë ligji?

Ligji për BIA-n thotë se drejtori i kësaj agjencie zgjidhet dhe mund të shkarkohet nga Qeveria, por kushtet që drejtori duhet të plotësojë nuk specifikohen në legjislacion.

Sipas ligjit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i ofron opinionin e tij Qeverisë lidhur me propozimin për emërimin apo shkarkimin e drejtorëve të agjencive të sigurisë.

Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, veç të tjerëve, anëtar janë edhe presidenti i Serbisë, kryeministri, ministri i Mbrojtjes dhe ai i Brendshëm./REL

Burimi: GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Para 25 viteve, shqiptari i parë që u fut në histori të Kampionatit Botëror

Story i radhës

VOA: Ahmetaj ka lënë Shqipërinë, pak orë para se Prokuroria të kërkonte arrestimin

Të fundit nga

ShkoLartë