Në rrugë prej pesë muajsh, Bërxulla nuk tërhiqet nga protestat: Do t’i mbrojmë pronat tona me gjak

Për të disatën fundjavë me radhë, edhe kjo e diel i gjeti banorët e Bërxullës në protestë për shpronësim të drejtë të pronës.

Pavarësisht temperaturave të ulëta, ata dolën në rrugë, ku janë përplasur edhe me kordonin e forcave policore, të cilët nuk kanë mundur t’i ndalojnë në bllokimin e rrugës që të dërgon drejt aeroportit të Rinasit. Në prononcimet për mediat, banorët autoktonë të banesave në Bërxullë thonë me bindje se shteti mund t’ua marrë tokat vetëm me gjak. Ndonëse kanë bërë thirrje herë pas here për negociata, ata shprehen se nuk ka asnjë ofertë të re nga qeveria dhe për këtë kanë bërë gati dosjen për në Gjykatë.

PROTESTA

Me thirrjet “prona është e shenjtë, do ta mbrojmë me gjak”, banorët e Bërxullës kanë deklaruar se do të vijojnë me protestat derisa kërkesat e tyre të merren parasysh nga shteti. Një prej banorëve tha për “Panorama TV” se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet duke theksuar se “shteti bën sehir”, ndërsa akuzoi firmën ndërtuese se ndryshon projektin sa herë që has ndonjë në vështirësi. “Mbi 80% e banesave janë me certifikata, vetëm 3 apo 4 prej tyre janë të pacertifikuara, po duhet të dini që do të preken dhe banesa të tjera.

Ka pasur lëvizje të projektit se sa herë që firma has në vështirësi mundohet të ndryshojë projektin. Protestat tona nuk do ndalojnë asnjë ditë. Ne duam vlerën e pronës sipas çmimit të tregut, certifikimin e banesave dhe duam të shohim projektin, nëse s’na jepet zgjidhje për rrugë dytësore jemi jashtë si fshat ka pesë muaj protesta dhe shteti vetëm bën sehir, i drejtohemi institucioneve dhe nuk kthejnë përgjigje. Pushtetarët merren e zgjidhin hallet e Amerikës, për atë rusin mblidhen për ne jo”, tha një prej banorëve protestues. Banorët e Bërxullës kanë akuzuar Kryeministrin Edi Rama se “do që shtypë njerëzit me këmbë”, ndërsa i kanë kërkuar që të ulet në bisedime me ta dhe të dëgjojë kërkesat e tyre.

NEGOCIATAT

Fillimisht të plotësojë kërkesat e tyre e më pas të vijojë me projektin e aksit rrugor Thumanë-Kashar. Kjo është kërkesa e pangeociueshme e banorëve, të cilën e artikulojnë prej muajsh, por bie në vesh të shurdhër. Një nga banorët paralajmëroi se pronat e tyre “do t’i marrin vetëm të vdekur”, ndërsa shtoi më tej se ajo rrugë do të bëhet “me lapidarë para se të ndërtohet”.

“Kërkesat tona janë të panegociueshme, përmes pronave tona do të shkojnë në aeroport. Në shenjë protestë, tubimi ynë është paqësor për të sensibilizuar pushtetarët sepse siç e shihni se ka ndodh një problem me atë agjentin e FBI bllokohet parlamenti duke u marrë me atë dhe duhet ta gjejmë ne të drejtën a u lidh me rusët apo jo. Parlamenti ynë është për të zgjidhur hallet tona këtu, jo me zgjidhë hallet e Amerikës. Edi Rama po pati bërë gjë, të shkojë si i pandehur se kolltukun s’e kanë pronë të vetën, po këtu shkelet ligji ditën me diell, ne po na shkelen të drejtat në mënyrë brutale dhe nuk merret askush. Halli ynë është ky dhe na duhet zgjidhje se janë 97 familjarë, pushtetarët bëjnë sikur nuk shohin ku ta kërkojë zgjidhjen ne. Beteja jonë mos t’ju duket çudi se vetëm të vdekur, pronat tona nuk kanë shans t’i marrin pa ra në marrëveshje me ne kjo rrugë do të bëhet me lapidarë para me u ndërtu si në rastin e Kalasë së Shkodrës sepse janë kushte bazë nuk po kërkojnë salltanet.

Nuk kanë nxjerrë akoma një vendim për vlerën e pronës se vetë i ndërtojnë pallatet ato dhe i dinë mirë çmimet dhe në mes të dimrit thonë dil përjashta ti. Po ku është Ministria e Financave?! Ça bëjnë këto, janë kërkesat tona, jemi njerëz me këmbë në tokë dhe logjikë. Të lëmë fshatin e të ikim të gjithë, prandaj bëj thirrje sa më shpejt se thonë projekti është madhor po për ata që do ta shfrytëzojnë”, tha banori i Bërxullës në protestën e së dielës. Sipas tyre, çmimi i tregut për pronat e tyre është rreth 50 euro për metër katror, ndërsa atyre u është ofruar një kompensim me rreth 4 euro për metër katror, gjë që ata e kanë refuzuar kategorikisht.

Tedi Blushi: Akt barbar i Policisë së “Rilindjes”, terrori të marrë fund

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar në lidhje me protestën e banorëve të Bërxullës ditën e sotme kundër ndërtimit të aksit Thumanë-Kashar, për shkak të prekjes së pronave të tyre dhe mos dëmshpërblimit të drejtë. Blushi shkroi në “Facebook” se junta policore e “Rilindjes” kreu sot aktin e radhës barbar ndaj banorëve të Bërxullës, duke dhunuar gra dhe të moshuar që protestojnë në mbrojtje të pronave të tyre legjitime. Sipas tij, terrori i pajustifikuar duhet të marrë fund menjëherë, dhe qeveria duhet të tërhiqet nga këto akte të shëmtuara dhune ndaj lirive e të drejtave të qytetarëve dhe t’u garantojë banorëve të Bërxullës që preken nga projekti Thumanë-Kashar një zgjidhje të drejtë.

“Ndal terrorit policor ndaj banorëve të Bërxullës! Junta policore e ‘Rilindjes’ kreu sot aktin e radhës barbar ndaj banorëve të Bërxullës, duke dhunuar gra dhe të moshuar që protestojnë në mbrojtje të pronave të tyre legjitime. Ky terror i pajustifikuar duhet të marrë fund menjëherë! Qeveria të tërhiqet nga këto akte të shëmtuara dhune ndaj lirive e të drejtave të qytetarëve dhe t’u garantojë banorëve të Bërxullës që preken nga projekti Thumanë-Kashar një zgjidhje të drejtë dhe objektive siç Kushtetuta e parashikon, me transparencë, konsultime dhe mjete demokratike”. Kujtojmë se banorët e Bërxullës janë ngritur disa herë në protestë. Më herët ato thanë se nuk janë kundër projektit, por problematika sipas tyre është te vlera e tokës dhe banesës. Sipas banorëve, rrezikohen 20 banesa nga projekti dhe qeveria nuk ka një vendim për zhvendosjen e tyre.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Mbi 300 viktima në Turqi e Siri

Story i radhës

Ky ishte ndër tërmetet më të mëdha të regjistruar në Turqi, thonë sizmologët

Të fundit nga