Shkup, 16 nëntor – Diskriminimi ndaj shqiptarëve është i njohur në Maqedoninë e Veriut, sado që të ketë krekosje për afirmimin e të drejtave për shqiptarët, ende hasen diskriminime në baza etnike. Më e keqe se kjo është fakti se duke respektuar balancimin, maqedonas të shumtë ndryshojnë etninë për të zënë edhe atë numër të vogël të punësimeve të rezervuar për shqiptarët. Rasti më i freskët ku dëshmohet padrejtësia e diskriminimi ndaj shqiptarëve është në Regjistrin Qendror , si në numrin e përgjithshëm të të punësuarve ashtu edhe në sektorët udhëheqës, shqiptarët janë të përfaqësuar minimalisht. Nga 24 sektorë që funksionojnë në kuadër të këtij institucioni asnjë prej tyre nuk udhëhiqet nga kuadro shqiptar. Pozita më e lartë e një të punësuar shqiptar është “këshilltarë”, ndërsa të tjerët poshtë renditen me bashkëpunëtor dhe bashkëpunëtor të rinj, shkruan Zhurnal.
Shqiptarët ndër vite kanë qenë të sfiduar me të drejtat elementare, madje ndaj tyre është shkaktuar padrejtësi në vazhdimësi, dhe fitore për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ka qenë koha kur kanë filluar arsimimin në gjuhën amtare. Por, edhe përkundër faktit se filluan të arsimohen ishte e domosdoshme rehabilitimi i tyre nëpër vendet përkatëse të punës. Pasi ç ‘kuptim do të kishte arsimimi e profesionalizmi nëse po e njëjta nuk do të ushtrohet në praktikë. Në këtë drejtim edhe pas 20 viteve të luftës për drejtësi dhe barazi ende shqiptarët janë të pa barabartë dhe endje ndaj tyre bëhet diskriminim kur në shprehje është punësimi në të gjitha institucionet e vendit pa dallim.
Rast i fundit është situata në Regjistrin Qendror, ku shkelet kriteri kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Shkup, dhe por edhe në qytetet tjera. Nga 24 sektorë që funksionojnë në kuadër të këtij institucioni asnjë prej tyre nuk udhëhiqet nga kuadro shqiptar. Pozita më e lartë e një të punësuar shqiptar është “këshilltarë”, ndërsa të tjerët poshtë renditen me bashkëpunëtor dhe bashkëpunëtor të rinj. Referuar raportit vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2021, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat rezulton 14,3 për qind. Larg përfaqësimit ashtu siç e kërkon ligji.
Pasqyrë e të punësuarve në Regjistrin Qendror në Shkup:
Shqiptar
Persona të zgjedhur ose të emëruar: Asnjë i punësuar 0%
Pozita udhëheqëse: Asnjë i punësuar 0%
Pozita jo udhëheqëse: 45 të punësuar 16,2% shqiptarë
Të punësuar në organe të tjera: 45 të punësuar 14,3% shqiptarë
Maqedonas
Persona të zgjedhur ose të emëruar: 2 maqedonas 100%
Pozita udhëheqëse: 35 maqedonas 94,3%
Pozita jo udhëheqëse: 277 maqedonas 80,5%
Të punësuar në organe të tjera: 314 82,2%,
Të dhënat janë marrë nga Raporti i Avokatit të Popullit.
Kjo është pasqyra e qartë se në çfarë gjendje është Regjistri Qendror edhe përkundër faktit se në bazë të regjistrimit të fundit shqiptarët dolën mbi 30%, kjo nuk çon peshë aspak që padrejtësia e diskriminimi të aplikohet shqiptarëve. Ajo që është absurde është fakti që ky institucion nuk gëzon as pozitën e zëvendësdrejtorit.
Nuk është kjo e tëra që shqiptarët janë të pa përfaqësuara në këtë institucion dëshmohet edhe në pozicionet tjera, ngjashëm edhe në Bordin drejtues të përbërë nga 5 anëtarë, ka vetëm një shqiptar, ndërsa në sektorë nuk ka asnjë shef shqiptarë, përpos një të angazhuarit në detyrë, por që nuk gëzon statusin e udhëheqësit apo menaxherit të sektorit.
Situata e njëjtë paraqitet edhe nëpër qytete tjera. Pasqyra e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat lë për të dëshiruar edhe në qytetet me shumicë shqiptare: Tetovë, Gostivar, Strugë dhe qytetet tjera. Në kuadër të sistemimit të administratorëve, janë rekomanduar rreth 15 të punësuar, por asnjë prej tyre në pozita udhëheqëse.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për mungesën e shqiptarëve nëpër institucione të ndryshme shpesh herë arsyetohen me mungesë të kuadrove, arsyetim i pavërtetë dhe që nuk mban. Më problematike se mungesa e kuadrove është përkatësia etnike sa i përket punësimit të shqiptarëve në gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut pa dallim. Kjo krejt si pasojë e politikave jo të unifikuara të shqiptarëve, të ndarë e të përçarë sjellin situatën që gjeneratat e reja nuk kanë durim të presin bashkimin e unifikimin e politikanëve shqiptarë për të kërkuar të drejta të barabarta e të eliminojnë diskriminimin, ata po zgjedhin rrugën e Perëndimit për të ikur nga ky vend ku diskriminohesh veç se je shqiptarë. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk