Në QKUK bëhen gati për ekzaminime të reja të foshnjave

min lexim

Brenda pak muajsh, Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të nisë ekzaminime të reja për të sapolindurit, të cilat do të ndihmojnë në diagnostikimin e së paku katër çrregullimeve metabolike.

Ato përfshijnë sëmundje si hipotiroidizmi kongjenital dhe fenilketonuria, të cilat mund të shkaktojnë dëmtime të konsiderueshme mentale dhe neurologjike, nëse nuk trajtohen në kohë.

Ekzaminimet e reja do të mund të diagnostikojnë edhe fibrozën cistike, e cila e bën të vështirë për fëmijët e prekur të marrin frymë ose ta tresin ushqimin, si dhe galaktozeminë, e cila nuk e lejon trupin ta përpunojë sheqerin që gjendet në produktet e qumështit, shkruan REL.

Zbulimi i hershëm i këtyre sëmundjeve, sipas profesionistëve shëndetësorë, është vendimtar, pasi ndërhyrja në kohë mund t’i parandalojë pasojat apo vonesat e mëdha në zhvillim.

Pajisjet për këto ekzaminime – në vlerë prej më shumë se 109 mijë eurosh – i ka blerë Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, i cili ka nën mbikëqyrje QKUK-në dhe spitalet rajonale.

Tash për tash, ekzaminimet e tilla kryhen vetëm jashtë Kosovës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Përleshje masive në Turqi, shishe qelqi e gurë/ Pushuesit largohen të tmerruar

Story i radhës

Nga kategoria e 10-të e Anglisë në Serinë A

Të fundit nga