Shoqata e Vullnetarëve për Zjarrfikje dhe Shpëtim të Kryeqytetit, ka mbajtur Kuvendin e parë Themelues. Kjo shoqatë është e para e këtij lloji në Republikën e Kosovës dhe ka për qëllim forcimin e kapaciteteve vullnetare për zjarrfikje dhe shpëtim në Kryeqytet, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, shprehu kënaqësi që po krijohet kjo shoqatë vullnetarësh.
“Sot e ndiej një krenari, sepse me themelimin e Shoqatës së Vullnetarëve për Zjarrfikje dhe Shpëtim të Kryeqytetit, po i vendosim themelet e një force për mbrojtjen e pasurive dhe jetës së qytetrëve. Krahas rritjes së popullsisë dhe zgjerimit të infrastrukturës, kërkohet të jemi në gatishmëri edhe për situata emergjente. Nuk është rastësi që shtetet i vendosin pikërisht vullnetarët. Në Francë gjysma e ndërhyrjeve kryhet nga vullnetarët”, tha Rama, duke shtuar se kryeqyteti po i bashkohet këtyre shteteve që kanë traditë për vullnetarë.
“Ne kemi një shtëpi në Kolovicë, e cila është e braktisur dhe do të rinovohet në tërësi. Renovimi i saj është rreth 200 mijë euro dhe ne veçse i kemi ndarë 50 mijë euro, por po besojmë se me grante do ta përfundojmë dhe punët në këtë objekt do të kryhen brenda afateve të parapara”, theksoi Rama, teksa ofroi mbështetjen e tij si kryetar.
Ndërsa, drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, vlerësoi se Shoqata e Vullnetarëve për Zjarrfikje dhe Shpëtim të Kryeqytetit është shembull i përkushtimit qytetar.
“Themelimi i Shoqatës Vullnetare të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit shënon një hap të madh përpara në forcimin e sigurisë publike dhe në përmirësimin e reagimit ndaj emergjencave. Siç e dimë, siguria dhe menaxhimi i emergjencave nuk janë vetëm përgjegjësi e institucioneve shtetërore. Ato kërkojnë një përfshirje të gjerë të komunitetit dhe një bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe qytetarëve. Shoqata që po themelojmë sot është një shembull i përkushtimit qytetar, i përgjegjësisë kolektive dhe i vullnetit për t’u dalë në ndihmë të tjerëve në momentet më të vështira”, u shpreh Fushtica.
Komandanti i zjarrfikësve të Prishtinës, Mal Gashi, tha se kjo ide është jetësuar falë mbështetjes së kryetarit Përparim Rama.
“Që nga viti 2012 kemi pasur idenë për të krijuar Shoqatën e Vullnetarëve për Zjarrfikje dhe Shpëtim, por deri më tani nuk ka lëvizur shumë dhe ne kemi shumë ide, por nëse nuk jetësohen ato ide, ato mbesin vetëm në letër. Nëse nuk do ta kishim vullnetin e kryetarit Përparim Rama dhe drejtorit Lulzim Fushtica, nuk do të mund ta realizonim këtë ide. Kjo nuk është vetëm ide, por është mision që do ta kemi përpara vetes”, tha Gashi.
Burimi: botasot.info