Federata Shqiptare e Futbollit përmes Departamentit të Ekipeve Kombëtare do të nisë më 21 nëntor seleksionimet e ekipeve rajonale për vitlindjet 2009, 2010, 2011 dhe do të zgjasin për dhjetë ditë.
Seleksionimet, që zhvillohen çdo muaj në çdo zonë rajonale, do të udhëhiqen nga trajnerë të ekipeve të moshave Kombëtare dhe trajnerë të ekipeve përfaqësuese rajonale dhe specialistë të Departamentit të Ekipeve Kombëtare.
Specialisti i Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Sulejman Mema, shprehet se ky është një proces mjaft i rëndësishëm në evidentimin dhe përzgjedhjen e elementëve të spikatur edhe në kuadër të përgatitjeve për turneun e ardhshëm të ekipeve përfaqësuese rajonale.
“Seleksionimet do të nisin në të gjitha zonat rajonale më 21 nëntor dhe përfundojnë më 1 dhjetor. Do ta nisim në Tiranë e Durrës, ku ka më shumë masivitet, për të vijuar me Gjirokastrën, Fierin, Lezhën, Shkodrën, Korçën dhe Elbasanin. Ky është një proces seleksionimi që do të që bëhet çdo 6 muaj dhe që i paraprin Turneun të Ekipeve Përfaqësuese Rajonale, aktivitet që do të vëzhgohet edhe nga përfaqësues të UEFA-s”, – thotë Mema për Fshf.org, duke shprehur bindjen se ky brez mund të ofrojë lojtarë kualitativë.
“Sakaq, ne do të vëzhgojmë nga afër seancat stërvitore në shoqatat rajonale respektive dhe paraprakisht do të marrim përmes tyre listat e lojtarëve të evidentuar në këto grup-mosha për t’i evidentuar cilësitë e tyre nga afër dhe për të piketuar elementët më të spikatur e të cilët kanë perspektivë. Aspekti kualitativ është shumë i rëndësishëm dhe në presim që kjo grup-moshë të ketë shumë elementë të talentuar në të gjitha zonat rajonale për t’i ofruar këtij brezi një të ardhme të shkëlqyer”, – vijon Mema.
“Kështu ne u japim mundësinë të gjithë futbollistëve të këtyre grup-moshave që të tregojnë vlerat e tyre dhe me shpresën që do të kenë shansin për t’u provuar në ekipet kombëtare të moshave. Në çdo rast do të vazhdojmë t’i vëzhgojmë gjithmonë sepse objektivi është që të ndjekim zhvillimin e tyre, në klubet ku luajnë, dhe të mund të bëjmë ekipe kombëtare kompetitive”, – tha ndër të tjera Sulejman Mema në lidhje me procesin e seleksionimeve të ekipeve rajonale.