Në Muzeqinë të Shtimes është përuruar çerdhja e parë në këtë komunë. Për këtë çerdhe janë investuar mbi 70 mijë euro, me kapacitet prej 40 fëmijëve ku deri më tani janë regjistruar 30 fëmijë.
Në prerjen e shiritit morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Aliu, tha se për herë të parë në këto treva po hapet një çerdhe që do të jetë shtëpia e edukimit të fëmijëve.
“Kjo çerdhe bashkohore që po ua dedikojmë sot fëmijëve të fshatit Muzeqinë por edhe fshtatërave përreth, është një nga çerdhet më moderne që jemi duke i ndërtu në Komunë e Shtimes”, ka shtuar Aliu.
Në pyetjen e gazetarëve se a ka ndarë buxhet Ministria e Arsimit vetëm për Komunat ku udhëheq Lëvizja Vetëvendosje, ministrja Nagavci tha se është ndarë buxheti i mjaftueshëm për t’i plotësuar të gjitha kërkesat dhe se asnjë kërkesë nga komunat nuk ka mbetur pa u plotësuar.
“Nuk ka asnjë komunë zero buxhet për çerdhe, ka buxhet të mjaftueshëm të planifikuar për ndërtimin e të gjitha çerdheve. Asnjë kërkesë nga komunat nuk ka mbet pa u plotësuar. Në kode, kemi kode të veçantë për investime të përgjithshme edhe nëse nuk janë me emra specifike të Komunave, është në Kodin për investime kapitale“, ka thënë Ngavci.
Burimi: botasot.info