Në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në Bullgari këtë të diel po votojnë edhe qytetarë që jetojnë në Kukës, por që Bullgaria e Shqipëria i njohin si minoritet.
Në Pallatin e Kulturës së qytetit të Kukësit u hap një qendër votimi ku të drejtën e votës e ushtruan personat me letërnjoftim dhe pasaportë bullgare.
Qendra e votimit është hapur në orën 7 të mëngjesit ndërsa procesi i votimit do të mbyllet në orën 20 të mbrëmjes. Deri më tani procesi po kryhet normalisht dhe pa probleme.
Votuesit janë nga fshatrat e zonës së Gores por edhe të qytetit të Kukësit të cilët kanë dokumente personale Bullgar. Qendra votimi janë hapur edhe në Tirane pranë ambasadës Bullgare, në Korçë e Elbasan. Referuar të dhënave të Censit 2023 ku për herë të parë është matur edhe minoriteti bullgar rezulton se 7057 persona në Shqipëri janë deklaruar dhe regjistruar si bullgar.
Shteti shqiptar i njeh bullgarët si pakicë në bazë të një ligji që ishte miratuar në vitin 2017. Bullgarët shkojnë në kutitë e votimit në zgjedhjet e shtata të parakohshme brenda kater viteve dhe vetëm katër muaj pas zgjedhjeve të qershorit, pasi ra koalicioni qeveritar i qendrës së djathtë.
Burimi: botasot.info