Një projektligj ka arritur në Senatin amerikan dhe mund të hyjë në fuqi këtë muaj, por a janë 15-vjeçarët mjaftueshëm të pjekur dhe aftë për të marrë patentë shoferin?
Sistemet moderne elektronike dhe teknologjitë e ndihmës së shoferit po e bëjnë drejtimin më të lehtë dhe më të sigurt se kurrë, por në Kentucky, ngasja së shpejti mund të bëhet lojë e fëmijëve – në varësi të mënyrës se si votojnë ligjvënësit e shtetit javën e ardhshme.
Nëse Senati miraton ligjin e ri, të rinjtë e moshës 15 vjeç do të mund të drejtojnë ligjërisht një veturë në rrugët publike.
Projektligji u prezantua në fillim të janarit dhe këtë javë Komiteti i Transportit e miratoi dhe e dërgoi në Senat.
Senatorët pritet të shqyrtojnë dhe votojnë propozimin javën e ardhshme dhe nëse e kalojnë, ligji do të hyjë në fuqi menjëherë.
Sipas ligjit aktual të Kentuckyt, adoleshentët mund të marrin një patentë të përkohshme në moshën 16 vjeç, e cila u lejon atyre të drejtojnë me një të rritur të pranishëm.
Pas 180 ditësh, ata mund të kalojnë në një patentë të përkohshme me kufizime dhe në moshën 17 kanë të drejtë për patentë shoferi të plotë.
Megjithatë, ligji i ri do t’i lejojë shoferët të marrin një licencë bazë të përkohshme në moshën 15 vjeç, duke e sjellë Kentucktyn në përputhje me shtetet fqinje Tennessee dhe West Virginia.
Gjithashtu, shoferët mund të marrin një patentë të plotë që në moshën 16 vjeç e gjysmë, raporton Courier Journal.
Për të marrë një patentë, adoleshentët duhet të kenë 60 orë vozitje, duke përfshirë 10 orë gjatë natës.
Më e rëndësishmja, ata nuk duhet të drejtojnë makinën pa praninë e një të rrituri që është të paktën 21 vjeç, dhe me patentë shoferi të plotë.
Mbështetësit e ligjit argumentojnë se ngasja e veturës më herët do t’u japë të rinjve më shumë përvojë në rrugë përpara se të marrin një patentë të plotë, gjë që mund të zvogëlojë numrin e aksidenteve rrugore. Ata përmendin edhe përfitimet ekonomike.
“Shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore të të rinjve në shtetin tonë është e ulët, veçanërisht midis adoleshentëve”, tha për Courier Journal, përfaqësuesi i shtetit Stephen Rudy.
“Sa vende pune në sektorin e gastronomisë dhe ushqimit të shpejtë mund të plotësohen nga fëmijët që duan të punojnë, por thjesht nuk mund të shkojnë në punë? Është një problem veçanërisht i theksuar në zonat rurale”, shtoi Rudy.
Nga ana tjetër, kundërshtarët e ligjit pretendojnë se 15-vjeçarët nuk kanë përgjegjësi të mjaftueshme për të drejtuar një automjet.
Burimi: botasot.info