Është shoqëruar me batuta mes deputetëve të PS-së dhe PD-së shqyrtimi i projektligjit për aderimin e Shqipërisë në Organizatën e Hidrografisë Ndërkombëtare. Duke qenë se bëhet fjalë për një konventë, vota nga të majtët dhe të djathtët ishte unamisht pro, megjithatë ka qenë data kur ka fillluar puna për aderimin në këtë organizatë që është bërë shkak për batuta.
Në fund fare, pasi deklaroi votën pro të opozitës, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Ferdinand Xhaferaj tha se puna për aderimin këtë organizatë ka filluar që në vitin 2009 dhe kjo tregon se sipas tij, Rilindja mbaron me shpejtësi çdo projekt ku ka përfitime financiare për ata që drejtojnë dhe zvarrit çdo gjë tjetër.
“Kjo tregon shumë sepse sa herë që diskutojmë në komisione për investime dhe konventa, shumica etyre e kanë gjenezën gjatë qeverisjes sonë. Ju është dashur 10 vite që me zor arrini të ambalazhoni idetë tona. Kjo tregon se i vetmi instrument që çon para punët e kësaj qeverisjeje është korrupsioni. i vetmi projekt i nisur dhe përfunduar gjatë Rilindjes është Lungomare në Vlorë dhe asgjë tjetër”, tha Xhaferaj duke bërë që të përgjigjet menjëherë kryetari Nasip Naço.
“Këto investimet që nisin që nga 2009 janë vetëm ëndrra në sirtar të Partisë Demokratike”, tha ai, ndërsa Xhaferaj u përgjigj: Po ne ëndrrat kemi, se paratë i keni ju.
Pjesë nga batutat:
Ferdinand Xhaferaj: Vota jonë këtë konventë është sigurist pro, siç votojmë përherë për konventat ndërkombëtare. Por siç doli në pah këtu, guri i themelit për këtë konventë është vendosur në vitin 2009. Kjo tregon shumë sepse sa herë që diskutojmë në komisione për investime dhe konventa, shumica etyre e kanë gjenezën gjatë qeverisjes sonë. Ju është dashur 10 vite që me zor arrini të ambalazhoni idetë tona. Kjo tregon se i vetmi instrument që çon para punët e kësaj qeverisjeje është korrupsioni. I vetmi projekt i nisur dhe përfunduar gjatë Rilindjes është Lungomare në Vlorë dhe asgjë tjetër.
Nasip Naço: Faleminderit për votë pro z.Xhaferaj. këto investimet që thoni ju që në 2009 janë ëndrrat në sirtar të PD-së.
Ferdinand Xhaferaj: Po ne ëndrrat kemi, paratë i keni juve (qeshin në sallë).
Nasip Naço: (Qesh) E hedhim në votim pra ./