Në Gjermani është rritur numri i ujqërve, e me këtë edhe numri i sulmeve të regjistruara ndaj bagëtive, gjë që ka ndezur sërish debatin për lejet e gjuetisë, njoftoi Zyra Federale për Mbrojtjen e Natyrës në Bon.
“Këtë vit po shënojmë një rritje të lehtë të tufës së ujqërve nga 158 në 161, që është rritja natyrore e pritshme e numrit të kafshëve”, thuhet në njoftimin e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Natyrës.
Në të njëjtën kohë, numri i sulmeve të ujqërve ndaj bagëtive, kryesisht dele dhe dhi, u rrit nga 942 në 975, gjë që ndezi sërish debatin për lejimin e vrasjes së ujqërve në pjesët e Gjermanisë ku u regjistrua numri më i madh i sulmeve.
Unioni Demokristian Gjerman (CDU) lansoi së fundmi një rezolutë në Parlamentin Evropian për të ndryshuar direktivën e BE-së për mbrojtjen e florës dhe faunës, e cila do të mundësonte vrasjen e kontrolluar të ujqërve.
Një raport i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Natyrës thotë se shtetet federale me numrin më të madh të ujqërve morën fonde të konsiderueshme për mbrojtjen e tufave. Për këtë qëllim vitin e kaluar janë ndarë 16.6 milionë euro, ndër të tjera për ngritjen e gardheve elektrike dhe blerjen e qenve roje.
Në të njëjtin vit, shteti pagoi më shumë se gjysmë milioni euro dëmshpërblim për pronarët e tufave që pësuan sulme të ujqërve. Dega gjermane e Organizatës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve, WWF, është shprehur qartë kundër lehtësimit të rregullave për mbrojtjen e rreptë të ujqërve.
“Shifrat aktuale në lidhje me numrin e ujqërve në Gjermani tregojnë qartë se Gjermania ka ende nevojë të investojë në masa që largojnë ujqit nga bagëtia, siç janë gardhet mbrojtëse. Debatet e kota dhe thirrjet populliste për vrasje nuk i ndihmojnë askujt”, thuhet në deklaratën e WWF për Gjermani.
Në Gjermani, vrasja e ujqërve është e ndaluar me përjashtime në rastin e sjelljes agresive të kafshëve ndaj njerëzve, e cila, megjithatë, nuk është regjistruar ende që nga futja e këtij rregulli në vitin 1998.
Në të ashtuquajturin vit të ujkut, i cili fillon më 1 maj dhe zgjat deri më 30 prill të vitit pasardhës 2021/2022, janë gjetur 148 kafshë të ngordhura, shumica e të cilave kanë ngordhur në aksidente trafiku. 13 kafshë u vranë ilegalisht pavarësisht ndalimit të vrasjes.
Shumica e ujqërve e kanë origjinën nga Evropa Lindore, veçanërisht Polonia, dhe numri më i madh i ujqërve në Gjermani është regjistruar në zonat lindore, me popullsi të rrallë të Brandenburgut dhe Saksonisë.