Dani Alves pritet të luajë si titullar në Brazil-Kamerun, sfidë që do zhvillohet të premten (20:00). Pesë herë kampionët e botës janë kualifikuar dhe trajneri Tite do të bëjë rotacion në takimin e fundit në grupin G.
Anësori i djathtë do të kthehet në lojtarin më të vjetër brazilian që luan në një Botëror (39 vjeç), ndërkohë që do barazojë Roberto Carlos me 125 ndeshje me fanellën seleçao. Sipër tyre qëndron vetëm ish-kapiteni Cafu (142).
“Nuk ka rëndësi se çfarë turneu është, nëse është një miqësore apo një Kupë Botërore, të përfaqësosh vendin tim është diçka që më bën shumë krenar. Misioni im është të jap gjithçka për ekipin.
Në dy ndeshjet e para në grup, Brazili kishte nevojë për një anësor me tipare mbrojtëse, unë jam një tip të cilit i pëlqen të sulmojë. Jam në dispozicion të trajnerit dhe Brazilit”, deklaroi Dani Alves, i cili ka një koment edhe për grumbullimin e tij.
Shumë tifozë kritikuan trajnerit Tite për marrjen e “veteranit” Dani Alves në Katar 2022. “Nëse do isha akoma pjesë e Barcelonës, askush nuk do kritikonte grumbullimin tim me Kombëtaren. Në Brazil janë të fiksuar pas kritikave.
Shumë njerëz flasin për moshën time, ata shprehen se nuk jam në gjendjen time më të mirë, por për një Botëror nuk ka rëndësi forma që ke në skuadër, thjesht forma që kalon në Botëror. Ja pse jam këtu”, deklaroi 39-vjeçari i UNAM Pumas (Meksikë), futbollisti me më shumë trofe në historinë e futbollit.