Organizatorët e ngjarjes panevropiane për komunitetin LGBT, EuroPride, kanë nisur këtë ngjarje më 12 shtator në Serbi, me vendosjen e flamujve me ngjyra të ylberit.
EuroPride po mbahet në Beograd të Serbisë pavarësisht se mbajtja e kësaj ngjarjeje u anulua muajin e kaluar nga autoritetet.
Ceremonia hapëse e javës së EuroPride kaloi pa incidente, pavarësisht protestave të grupeve fetare dhe nacionaliste dhe paralajmërimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili muajin e kaluar tha se kjo ngjarje nuk do të mbahej.
“EuroPride 2022 ka nisur. Kolegët e mi nga EuroPride janë këtu në këtë ngjarje historike”, shkroi në Twitter, Kristina Garina, presidente e shoqatës së organizatorëve të EuroPride.
“Faleminderit BelgradePride për përkushtimin tuaj për organizimin e ngjarjes”, shtoi Garina.
Më 11 shtator, grupet e krahut të djathtë, sikurse Dveri, me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe, mbajtën protestën e tretë në Beograd, për t’iu bërë presion zyrtarëve që të ndalojnë mbajtjen e EuroPride.
Në marshin në Beograd morën pjesë mijëra persona, të cilët kërcënuan se do të organizonin protesta nëse EuroPride do të mbahej.
Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, udhëhoqi lutjet për “shenjtërinë e martesës dhe familjes” dhe akuzoi “forcat e padukshme” për imponimin e “bashkimeve të panatyrshme si zëvendësim për martesën dhe familjen”.
EuroPride promovon krenarinë e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve e transgjinorëve në nivelin panevropian, dhe që nga viti 1992 organizohet nga një qytet i ndryshëm evropian çdo vit.
Ngjarja përfshin muzikë, konferenca për të drejtat e njeriut, ndeja dhe kulmon me mbajtjen e Paradës së Krenarisë në Beograd më 17 shtator. Por, mbajtja e paradës sivjet po përballet me kërcënime dhe zyrtarët kanë njoftuar se nuk do të ofrojnë siguri për marshin e sivjetmë.
Më 10 shtator, Vuçiq tha se Ministria e Brendshme do të japë vendimin final më 14 shtator nëse autoritetet do të lejojnë që të mbahet ose jo Parada e Krenarisë.
Por, organizatorët e ngjarjes në vazhdimësi kanë thënë se do të mbajnë Paradën dhe EuroPride dhe kanë argumentuar se Serbia duhet të respektojë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Më 2010, gjatë Paradës së Krenarisë në Beograd, protestuesit kundër komunitetit LGBT, sulmuan pjesëmarrësit dhe u përleshën me policinë. Më pas, mbajtja e Paradës së Krenarisë u rikthye më 2014 dhe që atëherë është mbajtur kryesisht pa incidente./REL