Tetiana priste që të ishte trokitja e shisheve të shampanjës që do ta zgjonte atë për martesën e saj në mëngjes, por në vend të kësaj ajo u tërhoq zvarrë nga shtrati nga një raketë ruse që ra pranë shtëpisë së saj në Ukrainën qendrore.
“Në fillim mendova se ishte bubullimë, por qielli ishte i pastër, – thotë stilistja 31-vjeçare, – e kuptova se ishte një bombë”.
Të tronditur nga shkatërrimi, por të vendosur për të vazhduar martesën e tyre, Tetiana dhe i fejuari i saj Taras u martuan sipas planit, gjashtë orë më vonë.
“Fillimisht mendova se do të duhej ta anulonim dasmën, por i fejuari më tha që duhej të vazhdonim”, tha Tetiana, e cila kërkoi që të mos u përdoreshin emrat e vërtetë. “Lufta nuk ka të drejtë të prishë planet tona. Ne kemi të drejtë të krijojmë familjen tonë dhe të jetojmë jetën tonë në maksimum”, shtoi ajo.
“Më vonë” mund edhe të mos vijë kurrë…
Çifti, i cili u martua në qershor në qytetin industrial të Kremenchuk, 250 kilometra në juglindje të Kievit, është vetëm një prej shumë syresh që janë martuar në Ukrainë që kur Rusia filloi pushtimin e saj në fund të shkurtit.
Fqinjë që në moshën 6-vjeçare, Taras i propozoi Tetianës vitin e kaluar dhe fillimisht shpresonin për një martesë pranverore.
“Në maj e kuptuam se lufta mund të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe vendosëm të mos e shtynim jetën për më vonë, sepse, siç na ka treguar kjo luftë, kjo “më vonë” mund edhe të mos mbërrijë kurrë”, tha Tetiana.
Në rajonin e Poltava, ku ndodhet dhe qyteti Kremenechuk, u zhvilluan rreth 1,600 dasma vetëm në gjashtë javët e para pas fillimit të pushtimit rus, krahasuar me 1,300 martesa në të gjithë vitin 2020.
Në kryeqytet rritja është edhe më e madhe, me 9120 martesa të regjistruara në vetëm pesë muaj, tetë herë më shumë se 1,110 dasma që ndodhën gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2021.
Vetëm një të shtunë me diell në Kiev 40 çifte të rinj filluan jetën e tyre së bashku dhe u celebruan në një zyrë regjistrimi në qendër të qytetit.
“Të martohesh gjatë luftës është hapi më i guximshëm dhe më i vështirë për t’u bërë, sepse kurrë nuk e di se çfarë do të ndodhë,” shpjegoi Vitali, 25 vjeç, pak para se të martohej me Anastassia 22-vjeçare.
Për tre vjet çifti i ri kishte dëshirë ta zyrtarizojë marrëdhënien, por vendosën ta bënin këtë hap vetëm në momentin e fundit. “Lufta vazhdon. Më mirë ta bëjmë tani”, tha Vitali.
Një mesazh sfide
Daria Stenioukova, një mësuese yoga 31-vjeçare në Vinnytsia, ka javë që po përgatitet për martesën e saj me Vitali Zavalniouk, 30 vjeç. Megjithatë, në prag të ngjarjes, një raketë ruse shkatërroi qytetin, duke vrarë 26 vetë, duke dëmtuar zyrën e regjistrimit dhe duke shkatërruar edhe banesën e saj.
“Ne ishim të tronditur, por të vendosur të ecnim përpara,” tha Daria. “Nuk bëhej fjalë të dorëzoheshim. Shtëpia ime u shkatërrua, por jo jeta jonë”.
Ata u detyruan të shtynin festimet me miqtë dhe familjen e tyre, pasi askush në Vinnytsia nuk ishte në gjendje për të festuar, por ata këmbëngulën t’i thoshin “po” njëri-tjetrit atë ditë. Dhe u martuan në vetëm tre minuta, diku tjetër.
Çifti më pas zgjodhi një fotosesion në banesën e bombarduar të Darias.
“Ishte një mesazh sfide për të gjithë botën, i cili theksoi forcën e popullit ukrainas. Ne jemi gati të martohemi, edhe nëse raketat fluturojnë mbi kokat tona,” – u shpreh Daria.