Laçi ka mësuar ditën e sotme emrin e kundërshtarit të turit të parë në Conference League teksa kurbinasit janë vendsur përballë klubit nga Mali i Zi, Iskra. Ekipi shqiptar cilësohet favorit për të kaluar më tej edhe për vetë faktin se ishte në vazon e favoritëve, ndërsa nëse zbulojmë pak nga historia e malezëve, kuptohet se nuk janë një klub tradite i mësuar me suksese të mëdha.
Kështu, të krijuar në vitin 1919, emri i parë i malazezëve ishte Zmaj, të cilin e e ruajtën për 10 vite ndërsa e ndryshuan në Iskra, emrin aktual, pas Luftës së Dytë Botërore.
Në pjesën më të madhe të kohës, Iskra ka qenë pjesë e niveleve inferiore në Malin e Zi, ndërsa promovimi i parë në elitë u regjistrua në sezonin 2015-2016, kampionat të cilin e mbyllën në vendin e 10-të. Ndërkohë, në sezonin 2019-2020, Iskra arriti suksesin më të madh duke e mbyllur kampionatin në vendin e tretë dhe duke u kualifikuar për herë të parë në Kupat e Europës.
Në debutimin e tyre europian, Iskra kaloi me sukses në raundin pre-eliminator klubin nga Andorra, Santa Colona, ndërsa nuk ia doli në raundin e parë ndaj bullgarëve të Lokomotiv Plovdiv. Tashmë pasi e mbylli kampionatin e fundit në vendin e katërt, Iskra do të luajë për herë të dytë në Europë dhe përballë gjen Laçin. Sakaq, malazezët janë inferior ndaj kurbinasve në vlerën totale të skuadrës.
Në “Transfermarkt” Iskra ka në total një vlerë prej 3.2 milionë eurosh, ndërsa elementët të shtrenjtë në organikën e tyre janë portieri Marko Kordic dhe mbrojtësi i djathtë Perisa Pesukic që kanë një vlerë prej 250.000 eurosh në merkato. Nga ana tjetër, skuadra e Laçit në total, sipas “Transfermarkt”, vlen 4.9 milionë euro ndërsa lojtari më i shtrenjtë në radhët e kurbinasve është sulmuesi Saliou Guindo. Kujtojmë se ndeshja e pare do të luhet në Shqipëri më datë shtatë korrik, ndërsa ajo e kthimit një javë më pas në Malin e Zi.