Disa muaj pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht ligjin për studentët e Mjekësisë, që i detyronte këta të fundit që për 5 vite pas diplomimit të mos largohen për të punuar jashtë vendit, qeveria ka reflektuar ndryshimet në ligj. Argumenti i Gjykatës Kushtetuese se afati 5 vjetor është jo-proporcional, ka bërë që qeveria të propozojë që ky afat të ulet në 3 vite. Afati është ulur edhe për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt, nga 3 vite që parashikonte ligji më parë, në 2, dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë, që ligji parashikonte dy vjet punësim të detyruar brenda Shqipërisë duke e ulur me një vit. Ndryshimet në ligjin e hedhur për konsultim, zgjidhin edhe boshllëkun që sipas Gjykatës Kushtetuese kishte ligji, për studentët që shteti nuk i punëson brenda vitit pas përfundimit të studimeve. “Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 (tre) muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 (nëntë) muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 (nëntë) mujore në institucionet shëndetësore publike”, thuhet në projektligj.
Drafti i plotë
Neni 1
Në nenin 1, pas fjalëve “…për trajtimin e studentëve…” shtohen fjalët “… shtetas shqiptar…”.
Neni 2
Në nenin 4, të bëhen ndryshimet si vijon:
1. Në pikën 1, shkronja “b” fjalët “5 (pesë) vjet” të zëvendësohen me fjalët “3 (tre) vjet”.
2. Në pikën 1, shkronja “c”, me fjalët “5-vjeçar” të zëvendësohen me fjalët “3- vjeçar”.
3. Në pikën 2, shkronja “a”, fjalët “3 (tre) vjet” të zëvendësohen me fjalët “2 (dy) vjet”.
4. Në pikën 2, shkronja “b”, fjalët “3-vjeçar” të zëvendësohen me “2-vjeçar”.
5. Në pikën 3, shkronja “a”, fjalët “2 (dy) vjet” të zëvendësohen me fjalët “1 (një) vit”.
6. Në pikën 3, shkronja “b”, fjalët “2-vjeçar” të zëvendësohen me fjalët “1- vjeçar”.
Neni 3
Neni 6 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 6
Punësimi
1. Për studentin që përfundon programin e integruar të studimit të ciklit të dytë
“Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë dhe ka nënshkruar marrëveshje sipas përcaktimeve të këtij ligji, në momentin e lindjes së të drejtës për punësimin e tij, ndiqen procedurat e mëposhtme:
a) punësohet në institucionet shëndetësore sipas nevojave për mjekë të shpallura nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe përzgjedhja e vendeve të punës bëhet nga mjeku i licensuar, në bazë të renditjes sipas notës mesatare të përfundimit të studimeve;
b) koha e kryerjes së procedurës për punësimin e mjekut nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, është brenda 3 (tre) muajve nga momenti i lindjes së të drejtës për punësim.
2. Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 (tre) muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 (nëntë) muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 (nëntë) mujore në institucionet shëndetësore publike.
3. Periudhat sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, përfshihen brenda afateve të përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji kur mjeku punësohet, në rast të kundërt pas përfundimit të tyre, konsiderohet i përmbushur detyrimi sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe mjeku ka të drejtën të pajiset me diplomën përkatëse universitare.
4. Mënyra dhe procedura e punësimit me prioritet përcaktohet më udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Neni 4
Dispozitë kalimtare
Ky ligj i shtrin efektet në periudhën nga viti akademik 2024-2025 deri në vitin
akademik 2028-2029.
Neni 5
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se ligji i ri për mjekësinë detyronte studentët e mjekësisë të lidhnin kontrata me shtetin, për të mos u larguar për punë jashtë vendit 5 vite nga përfundimi i studimeve, ndryshe do t’i duhet të paguanin vitin shkollor 2300 euro viti. Ky ligj i miratuar në 21 korrik të vitit të kaluar me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim u kundërshtua me protesta nga studentët dhe u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në janar. Tashmë ndryshimet në ligj, pas konsultimit publik do të kalojnë në rrugë parlamentare në komisione e më pas në seancë plenare.