Ndryshimi i gjinisë në dokumente / Bashkësitë fetare kundër, reagojnë mbrojtësit nga diskriminimi

Maqedonia e Veriut së fundmi ka filluar të punojë në ndryshimin e ligjeve për barazi gjinore dhe Ligjin për Evidencë Amë. E para parasheh avancimin e të drejtave të gruas ndërsa e dyta ka dimenzion më të gjerë, por ajo që më tepër kontestohet është mundësia për përkufizimin e gjinisë. Me këtë të fundit, parashihet që personat transgjinorë të munden që me një deklaratë të vërtetuar në noter, të mund të definojnë gjininë e tyre të re dhe të ndryshojnë numrin amë.

Kjo ka ngjallur debat të madh. Kisha është ngritur në protestë, ndërsa bashkësia islame përmes nj komunikate u shpreh se nuk do të përkrah asnjë propozimligj që është në kundërshtim me parimet fetare.

“Mbështesim vendimin e të gjithë krerëve të bashkësive fetare në vend, i cili doli si rezultat i mbledhjes së përbashkët më 07 maj 2023, me ç’rast u theksua se ligjet në fjalë që janë në kundërshtim me parimet fetare nuk do të përkrahen. Çdo nismë, çdo ide apo parim juridik që bie ndesh me natyrën njerëzore, për BFI-në është e papranueshme”, thanë nga Bashkësia Fetare Islame e RMV-së.

Kundër këtyre ndryshimeve ligjore janë edhe nga Kisha Ortodokse. Peshkopi Jakov Stobiski thotë se ligji po keqpërdoret duke u mundësuar individëve të definojnë përkatësinë gjinore në bazë të ndjenjave individuale.

“Në mënyrë eksplicite shprehim protestë kundër kontekstit të ri që i jepet definicionit gjini, kundër komponentit gjinor që është e përfaqësuar në propozimligjin për barazi gjinore dhe përdoret, keqpërdoret në mënyrë edhe më eksplicite në propozim ligjin për evidencë amë, e cila parasheh ndryshim të shenjës për gjini, me deklaratë e cila do të bazohej në ndjenja subjektive të individit”, tha Jakov Stobiski, SASH KOM.

Deklaratat e prijësve fetarë kanë shqetësuar komunitetet që merren me të drejtat e njeriut. Platforma për barazi gjinore thanë se ndjehen të diskriminuar dhe të trishtuar nga deklaratat e Stobiskit. E nga Komisioni për Parandalim të Diskriminimit duan që ai të kërkojë falje publike.

Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, sqaroi se përzierja e dy propozim ligjeve ka krijuar huti tek qytetarët. Ajo thotë se ligji për barazi gjinore vetëm avancon dhe mbron me ligj të drejtat e grave ndërsa ligji për evidencë amë do t’u mundësojë personave transgjinor të ndryshojnë kodin e numrit amë.

“E vërteta është se ligji për barazi gjinore e avancon gjendjen e gruas në jetën e përgjithshme shoqërore dhe kjo është ajo që e trajton ligji për barazi gjinore. Ligji për evidencë amë e trajton identitetin gjinor, gjegjësisht mundësinë e personit transgjinor të mund të ndryshojë kodin në numrin amë aty ku shënohet gjinia, femër apo mashkull”, tha Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Në shenjë proteste kundër këtyre ndryshimeve ligjore, Kisha Ortodokse Maqedonase sot ka organizuar protestë para Kishës “Shën Klimenti i Ohrit”. Për këtë, nga organizata0 “LGBTI United” kanë shkruar se protesta “prek drejtpërdrejt lirinë dhe të drejtat e çdo njeriu në këtë vend, e mbi të gjitha komunitetin LGBTI”, andaj kanë bërë apel që “të shmangen lëvizjen në pjesën ku do të jetë protesta, por afër saj”.

Burimi: TV21

Story i mëparshëm

Galatasaray interesohet për Vedat Muriqin

Story i radhës

Finlanda nuk do ta klasifikojë COVID-19 si “sëmundje të rrezikshme infektive”

Të fundit nga