Në fjalën e saj në Komisionin për Ekonominë, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, u ndal te ndikimi që pritet të kenë ndryshimet në politikën fiskale mbi ecurinë e çmimeve dhe inflacionin.
Në përmbledhjen e saj për projektbuxhetin 2027, ajo theksoi dje se masat e ndërmarra në drejtim të uljes së disa taksave mund të ndikojnë në zbutjen e presioneve inflacioniste, ndërsa rritja e taksave të tjera mund të ushtrojë efekt të kundërt. Sipas saj, efekti përfundimtar do të varet nga shkalla në të cilën këto ndryshime do të përcillen te çmimet e konsumit.
“Ulja e TVSH-së për disa ushqime bazë dhe reduktimi i normës së taksimit të karburanteve pritet të ushtrojnë ndikim në kahun rënës mbi çmimet, ndërkohë që rritja e përgjithshme e TVSH-së dhe reduktimi i pragut të xhiros për përfshirjen e bizneseve në skemën e TVSH-së mund të japin ndikim të kahut të kundërt.
Në tërësi, ne vlerësojmë se ndikimi neto i tyre do të varet nga pesha dhe shkalla e transmetimit te çmimet finale të konsumit. Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se ndikimi i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të taksave në inflacion ka natyrë të përkohshme.
Megjithatë, efekte më të qëndrueshme mund të shfaqen nëse këto ndryshime ndikojnë pritjet për inflacionin, kërkesat për paga apo sjelljen e bizneseve në përcaktimin e çmimeve”, tha Ahmetaj mes të tjerash.
Burimi: botasot.info


