Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka kritikuar drejtimin aktual të partisë, duke paralajmëruar se me kursin e ndjekur nga Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani, LDK-ja rrezikon të humbasë identitetin e saj politik.
Përmes një postimi, Gecaj ka reaguar edhe ndaj zhvillimeve në Degën e LDK-së në Obiliq, duke kundërshtuar anashkalimin e organeve të zgjedhura dhe caktimin e koordinatorëve që, sipas tij, nuk parashihen me Statutin e partisë.
Ai ka paralajmëruar se LDK-ja mund të përfundojë si satelit i LVV-së, të shkrihet në të, të mbetet parti me rreth pesë për qind të mbështetjes ose të shuhet politikisht.
Në fund, Gecaj ka kërkuar respektimin e Statutit, hapjen e garës për udhëheqje të re dhe largimin e Abdixhikut dhe Osmanit nga drejtimi i partisë.
Postimi i plotë:
LDK-ja nuk është LVV …
… që degët t’i trajtojë si “pika” që duhet t’i binden qendrës. Shfletojeni pak historinë e partisë që sot e udhëhiqni! LDK-ja u përball me masat e dhunshme të një regjimi që kishte në dispozicion njërën prej fuqive më të mëdha ushtarake të Evropës së asaj kohe. Qëndroi, nuk u dorëzua dhe në fund edhe ngadhënjeu. As sot nuk do të përkulet përballë urdhrave të askujt.
Reagimi i Ibush Mjekiqit, Nënkryetarit statutar të Degës së LDK-së në Obiliq, duhet të na alarmojë të gjithëve. Ai ka kundërshtuar caktimin e një Koordinatori që nuk parashihet me Statutin e LDK-së. Kur qendra anashkalon organet e zgjedhura të një dege, nesër të njëjtën gjë mund t’ia bëjë çdo dege tjetër. Kështu vetëm e çojnë drejt përçarjes dhe shkatërrimit shtëpinë politike të Presidentit Rugova.
Bashkëpartiakë të nderuar, me kursin që po ndjekin Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani, LDK-ja rrezikon të përfundojë në njërën prej këtyre gjendjeve: (1) të bëhet satelit i LVV-së; (2) të shkrihet në të; (3) t’i vihet përfundimisht dryni; ose (4) të mbetet një parti e rreth pesë përqindëshit, sa për t’ua mbajtur gjallë ambiciet politike Lumirit e Vjosës. Në ndërkohë, për të na hedhur hi syve, ata na flasin për rrezikun që LDK-ja të bëhet satelit i PDK-së.
Le ta ngremë zërin në çdo degë, të kërkojmë respektimin e Statutit dhe ta hapim garën për një udhëheqje të re. Anëtarësia e ka në dorë të ardhmen e LDK-së. Me bindje të plotë e them se rrugëdalja fillon me largimin e Lumirit dhe të Vjosës nga drejtimi i saj.
Burimi: botasot.info


