Ndryshimet në Komuna janë të nevojshme, por papërgjegjësia e kryetarëve të Komunave shkakton kaos, protestat në Shkup vazhdojnë!

December 6, 2022
min lexim

Shkup, 6 dhjetor – Komunat kërkojnë më shumë kompetenca, mbase edhe meritojnë dhe do të kishin rezultuar më efikas e produktiv në punët e tyre. Por, marrja e kompetencave nuk nënkupton vetëm krekosje me dozë të lartë të pushtetit, por kërkon angazhim dhe përgjegjësi në kryerjen e funksionit në shërbim të qytetarëve.Reduktimi i numrit të komunave dhe një model i ri i organizimit territorial dhe vetëqeverisjes lokale, si dhe zvogëlimi i numrit të qarqeve planifikuese, janë paketa e projekteve që po bisedohen në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, realizimi i së cilës ishte paraparë të përfundonte në vitin 2024. Nga ana tjetër në qytetin e Shkupit vazhdon kaosi në transportin publik, ku qëndron faji dhe cila është zgjidhja e duhur, shkruan Zhurnal.

 

Çfarë parashihet në ndryshimet në Komuna-

Risto Penov, ministër i vetëqeverisjes Lokale në emisionin “Win ​​Win” në Telma deklaroi se po punohet për reformën e Ligjit për organizimin e territorit, por edhe se situata politike për momentin është shumë e komplikuar për të hapur një debat publik për këtë temë.

“Atmosfera politike është e vështirë që një pyetje e tillë të vihet në tryezë për debat. Parlamenti i bllokuar, tema që ndezin çështjet bullgare, dygjuhësia”, tha Penov.

Ndryshimet e ligjeve në fushën e vetëqeverisjes lokale kërkojnë dy të tretat e shumicës dhe shumicën e Badenterit. Për shkak të kësaj, me shumë gjasa ministri i ri nuk ka ndërmend ta shtyjë projektin për momentin. Jozyrtarisht, me ligjet e reja, vetëqeverisja lokale duhet të marrë kompetenca më të mëdha dhe kjo për momentin nuk i shkon për shtat qeverisë, sepse shumica e komunave menaxhohen nga VMRO-DPMNE opozitare.

Nga Ministria për vetqeverisje lokale mësohet se plani ka qenë ndryshimi strukturor i ligjeve për zhvillimin rajonal, për financimin e vetëqeverisjes lokale, për organizimin territorial dhe Ligjin për vetëqeverisje lokale. Projekti do të zhvillohej nga Ministria për vetëqeverisje Lokale në bashkëpunim me UNDP-në dhe në konsultim me ekspertë të vetëqeverisjes lokale.

Gjithashtu propozohet reduktimi i rajoneve të planifikimit nga tetë në gjashtë. Regjistrimi i fundit konstatoi se nuk ka kushte për tetë rajone planore në vend. Sipas nomenklaturës së BE-së, dy nga rajonet aktuale të planifikimit në vend nuk plotësojnë më kërkesat e nevojshme për një popullsi prej rreth 150 mijë banorësh, ndërsa një është në kufi. Kjo do të thotë se dy nga katër rajonet planifikuese – Vardari, Lindja, Verilindja dhe Juglindja – duhet të formohen në dy. Plani ishte që Enti i Statistikave të bënte një shpërndarje të rajoneve.

A kanë nevojë Komunat për shumë kompetenca?

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami kërkon më shumë kompetenca për komunat, sidomos në fushë e urbanizmit. Kasami pas takimit me ministrin e pushtetit lokal tha se është i patjetërsueshëm një decentralizim i mirëfilltë, me theks të veçantë fiskal. Ndërkohë Penov tha se për një Ligj të ri të decentralizimit, nuk është momenti i duhur, sidomos tani kur ka zhvillime të shumta politike sidomos me ndryshimet kushtetuese. Kasami dhe Penov firmosën marrëveshje për financim në rrugën e butikëve, e cila duhet të rikonstruohet.

Por, nuk është vetëm Komuna e Tetovës që ka nevojë për decentralizim, sepse edhe Komunat tjera do të kishin qenë më të zhvilluara nëse nuk ishin varur nga Qeveria, tani kemi situatë krejtësisht ndryshe që në pushtetin qendror kemi parti tjera, ndërkaq pushteti lokal është i fituar nga partitë opozitare. Prandaj, krijohen skenarë që Qeveria shkakton ngecje në financimin e projekteve për Komunat vetëm që këto të fundit mos të rezultojnë të suksesshëm në përmbushjen e funksioneve të tyre.

Pra, për poena politik se kush po fiton më shumë projektet ngecin, në rast të një decentralizimi të mirëfilltë Komunat do të kishin frymuar më mirë e më ndryshe.

Në qytetin e Shkupit me ditë të tëra po protestohet, Arsovska nuk po bremgoset, ku qëndron faji dhe cila do të ishte zgjidhja e duhur?

Çështja e transportit publik ka qenë një ndër premtimet e përditshme të kryetares së tanishme, Danella Arsovska, gjatë fushatës së saj elektorale, por menjëherë pasi u vendos në krye të Qytetit harroi gjithçka edhe këtë që e kishte përsëritur çdo ditë. Kishte premtuar transport publik falas, por ja që realizoi bllokadë të tërësishme të transportit publik.

Faji kryesor qëndron te menaxhimi i dobët dhe jo i duhur nga kryetarja Arsovska e cila ka reflektuar që më mirë dinë ta bëjë grindjen se çdo punë tjetër. Përpos, që nuk po përmbush premtimet e saja, ajo po prish edhe punët që kanë qenë. Shoferët e autobusëve të detyruar që edhe gjatë natës të flejnë në rrugë për të kërkuar atë që u takon atyre asgjë më shumë, por ja që kjo e fundit nuk brengoset fare, dhe nuk merr hapa drejt gjetjes së një zgjidhjeje të mundshme.

Rreth 100 autobusë të shoqatave të transportuesve privatë kanë bllokuar përsëri të hënën të gjitha udhëkryqet e Shkupit, duke shkaktuar kaos në rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut. Transportuesit po kërkojnë që t’u paguhet borxhi i rreth dy milionë eurove, të cilin, siç thonë ata, ua ka Ndërmarrja e Transportit Publik, përkatësisht Komuna e Shkupit. Kjo është bllokada e dytë brenda një jave, ndërkohë që transportuesit thonë se e njëjta mund të përshkallëzohet me dyfishimin e numrit të autobusëve – rreth 200 – të cilët do të bllokonin qytetin.

Zgjedhja e duhur do të ishte që vendimi për anulimin e kontratave me këta agjenci transportuese private të rishqyrtohet dhe të kthehet përsëri, mes tjerash edhe borxhi i akumuluar të pastrohet sepse kemi të bëjmë me njerëz që jetojnë nga ato paga që marrin, pra u rrezikohet mbijetesa e tyre. Edhe pse Arsovska deklaron që nuk ka kthim mbrapa nga ai vendim, duhet të bëhet edhe më shumë presion, që sa më parë ky borxh të pastrohet dhe kontratat të rikthehen sepse nga ky vendim humbin qytetarët që kanë qenë shfrytëzues të këtyre linjave.

Çështja e vetëqeverisjes Lokale është e një rëndësie të veçantë sepse në mënyrë direkte prek jetën e qytetarëve, veprimtarinë e tyre, sikurse rasti konkret që menaxhimi i dobët në pushtetin lokal shkakton kaos të gjithanshëm. Pushteti Lokal duhet të decentralizohet e t’i jepen sa më shumë kompetenca kryetarëve të Komunave, por kjo duhet të jetë edhe përgjegjësi më e lartë për kryetarët e Komunave, që punën e tyre ta kryejnë me dinjitet dhe përgjegjësi të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo dëmtojnë qytetarët. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Sulmi ndaj Berishës, OSBE: Jemi të trishtuar për incidentin e ndodhur në protestë

Story i radhës

Shenjat e horoskopit që gënjejnë më shumë

Të fundit nga

ShkoLartë