Shkup, 20 Nëntor – Ndryshimet kushtetuese mund të ndodhin dhe të sigurohen 80 deputetët e nevojshëm, ashtu siç pohojnë kompetentët në deklaratat e fundit, thotë analisti politik, Ismet Ramadani.
Kjo sipas tij mund të arrihet me mbështetjen e disa partive dhe të një numri të caktuar nga VMRO-DPMNE, të cilët e kuptojnë peshën dhe vlerën e vazhdimit të rrugës eurointegruese.
“Me kalimin e kohës këto deklaratat e liderit të VMRO-DPMNE-së do të zbuten duke kalkuluar me kushtet të ndryshme, premtime të cilat pastaj do të relativizohen dhe definitivisht do të paraqitet mundësia që deputetët e VMRO-së që do mbeten më progresiv e kuptojnë rëndësinë e problemit dhe t’i votojnë ndryshimet kushtetuese” – tha analisti politik, Ismet Ramadani.
Një dimension tjetër që do t’i jep forcës nisjes së procedurës për ndryshimet kushtetuese, do të jetë edhe ndihma dhe presioni diplomatik i zyrtarëve të BE-së dhe miqve ndërkombëtarë, shton analisti Ramadani, i cili në këtë rast përshfaq edhe rëndësinë e madhe të partive politike shqiptare.
“Kam parasysh edhe presionet dhe këshillat që do vijnë nga liderët e BE-së, zaten edhe ka indikacione se do të vizitohet Maqedonia prej liderëve të shteteve më të fuqishme. Edhe partitë politike shqiptare kanë zërin e vet dhe nuk do t’ia lejonë atë luks VMRO-DPMNE-së që kjo të paraqitet si pengesë drejt anëtarsimit” – tha Ramadani.
Ndërkohë, kreu i kuvendit Talat Xhaferi disa herë ka përsëritur qëndrimin se procedura për ndryshimin e kushtetuës do të fillojë vetëm atëherë kur të ketë konsensus politik dhe miratimi i ndryshimeve të jetë i sigurt.
Nuk do të lejojë që nisma të dështojë dhe më pas të humbet kohë për të pritur afatin që lejon ligji për ringritjen e procedurës.
Burimi: zhurnal.mk