Të shtëna me armë janë dëgjuar mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Ferizajt.
Më konkretisht, një person ka shtënë dy herë me armë sonte pranë rrugës “Tahir Sinani” në Ferizaj.
Rastin për media e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se një person i moshës 35 vjeç derisa ka qenë duke ecur ka nxjerrur armën nga brezi dhe ka shtënë dy herë në ajër.
Patrullat e policisë në vendin e ngjarjes kanë gjetur 2 gëzhoja.
Rasti po hetohet nga policia e Kosovës.
“Më datën 28.05.2022 rreth orës 19:35 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në rr.’’Tahir Sinani ‘’ ka gjuajtje me armë zjarri . Patrullat e policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur dy gëzhoja. Nga informatat e para dyshohet se një person i moshës rreth 35 vjeç derisa kishte qenë duke ecur në këmbë kishte nxjerrë një armë nga brezi dhe kishte shtënë dy herë në ajër dhe i njëjti kishte vazhduar në rrugën Tahir Sinani në drejtim të ‘’Viva Fresh Store’’”, ka thënë Veseli.
Orët e hershme të së shtunës sot ishin të rënda për qytetin e Ferizajit pasi një 30 vjeçar mbeti i vdekur pas plagëve që mori nga arma e zjarrit.
Policia e Kosovës ka gjetur dhe ka arrestuar dorasin, i cili tashmë po trajtohet nga mjekët pas plagëve të marra nga arma zyrtare e policisë, si pasojë e mospërfilljes së urdhërit për dorëzim dhe rrezikimit të personit zyrtar.