Kryeministri Edi Rama thotë se objektiv i qeverisë është që të bëjë Shqipërinë vend eksportues të prodhimeve ushtarake brenda kësaj dekade.
Në fjalën e tij gjatë inspektimit të repartin e operacioneve speciale në Zall Herr, Rama i bëri thirrje të rinjve e të rejave që të integrohen në fushën e mbrojtjes.
Gjithashtu ai i bëri thirrje të rinjve që ndodhen jashtë shtetit të kthehen për të kontribuar në fushën e mbrojtjes, sepse pagat do të jenë dinjitoze, theksoi Rama.
“Ne do jemi një vend eksportues i prodhimeve ushtarake brenda kësaj dekade, ky është qëllimi. Ndërkohë që pa diskutim qëllimi ynë është që të shfrytëzojmë industrinë e mbrojtjes edhe për të krijuar një bazë tërheqëse për vajza dhe djem të talentuar të specializuar profesionistë që jo vetëm mos largohen nga vendi por edhe të kthehen nga jashtë duke kontribuar në këtë industri, sepse do kenë paga që do jenë absolutisht dinjitoze dhe të arsyeshme për kërkesat e tyre”, tha Rama.
Sakaq në fjalimin e Rmës nuk munguan as batuta. Rama u kërkoi ndjesë pjesëmarrësve sot që sipas tij “u detyruan ta dëgjonin ditë të shtunë”.
“Ndjesë që në një ditë të shtunë, megjithë se ju s’keni të shtunë e të diele. Gjithsesi në një ditë të shtunë ishit të detyruar të dëgjonit fjalimin tim gjë që nuk e keni për herë të parë jam i sigurt dhe gjë që ju ndodh rregullisht kur hapni televizorin. Për sa kohë nuk kam dalë akoma në frigorifer ndihuni mire, se të paktën kur hapni frigoriferin nuk ju dal unë aty”, tha Rama.
Burimi: botasot.info