Sa është shuma e ndihmave amerikane që është ndarë dhe ku shkojnë këto ndihma janë dy pyetje kyçe ndërsa administrata e Presidentit të zgjedhur Trump përgatitet të marrë detyrën në janar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias njofton për disa sektorë ku priten shkurtime dhe të tjerë që mund të jenë përparësi.
Nga furnizimet mjekësore për Indinë e deri te ndihmat ushqimore për Gazën, Shtetet e Bashkuara dhurojnë më shumë ndihma për vende të tjera se çdo vend tjetër në botë. Në vitin 2022, Uashingtoni ndau rreth 70 miliardë dollarë. Kjo është e barabartë me 1% të buxhetit të përgjithshëm federal për ndihma humanitare, zhvillim ekonomik si dhe paqen dhe sigurinë dhe sektorë të tjerë, jashtë vendit.
Nuk është e qartë se cila do të jetë qasja e Presidentit të zgjedhur Donald Trump ndaj këtyre ndihmave kur ai të fillojë mandatin e dytë, në janar.
Gjatë mandatit të parë, zoti Trump i bëri të njohura pikëpamjet e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 2018.
“Ne do të shqyrtojmë se çfarë funksionon dhe çfarë jo dhe nëse vendet që marrin ndihmat tona dhe ne iu ofrojmë mbrojtje, kanë qëllime të mira ndaj nesh. Më tutje, ne do të japim ndihma vetëm për ata që na respektojnë dhe sinqerisht janë miqtë tanë”, tha Presidenti Trump më 25 shtator 2018.
Si president, zoti Trump shkurtoi disa prej ndihmave. Por, Kongresi shpesh i refuzoi sugjerimet e tij për ta bërë këtë.
“Ai bëri shkurtime të mëdha në të gjitha llojet e fondeve që janë ndarë më parë për të luftuar ndryshimet klimatike. Ai bëri disa ndryshime të tjera, si në ndihmat për palestinezët, por shumë nga politikat rreth ndihmave të Shteteve të Bashkuara vazhduan relativisht të pandryshuara”, thotë Jeremy Mayer nga Universiteti ‘George Mason’.
Presidenti Trump kufizoi mbështetjen amerikane për edukimin dhe shërbimet e abortit në mandatin e tij të parë, siç kanë bërë administratat e mëparshme republikane. Ai pritet ta bëjë këtë përsëri.
“Nën administratën e Presidentit Biden, klinikat e aborteve kanë marrë fonde për edukimin mbi abortin për shembull. Nën administratën e parë të zotit Trump, ne nuk lejuam që financimi të shkonte për organizata të tilla”, thotë Bonnie Glick nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive e cila ka shërbyer në administratën e parë të zotit Trump.
I emëruari i zotit Trump për Sekretar të Shtetit, Senatori Marco Rubio, i tha Kongresit në muajin shkurt se “ajo që ndodh në mbarë botën ka rëndësi” dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të kujdesën për të tjerët. Por, sipas tij, politika e zotit Trump “Amerika e Para”, ka përparësi.
“Në pothuajse të gjitha çështjet, ne ose kemi humbur mundësinë për gjykuar si duhet ose vazhdimisht po injorojmë nevojat e amerikanëve dhe po vendosim diçka ose dikë para tyre, pa ndërprerë”, tha senatori Rubio më 12 shkurt të këtij viti.
Zonja Glick thotë se administrata e ardhshme e zotit Trump do të shikojë me kujdes se ku po shpenzohen paratë e taksapaguesve amerikanë.
“Unë besoj se do të ketë një auditim të të gjitha programeve globale të USAID-it në 100 vende të ndryshme të botës”, thotë zonja Glick.
Qëllimi, shtoi ajo, do të jetë që Shtetet e Bashkuara të përfitojnë sa më shumë nga vendet që marrin ndihma amerikane./VOA
Burimi: botasot.info