Futbolli i Kosovës u trondit mbrëmë pas skandalit të kurdisjeve, të përmendur nga mediat franceze.
Të paktën katër lojë u përmendën të jenë kurdisur në 12 muajt e fundit në futbollin e Kosovës, ndërsa ekipi që po akuzohet si protagonist i trukimeve është Llapi.
E njëra prej ndeshjeve që dyshohet se ka qenë pjesë e basteve në Francë dhe në Kosovë, duket se ka qenë ajo mes llapjanëve dhe Feronikelit.
Ekipi i Tahir Batatinës ishte duke avancuar 4:0 ndaj “Niklit”, i cili në atë periudhë paraqitej me lojtarë juniorë pasi seniorët ishin larguar shkaku i problemeve financiare.
Më pas, juniorët e Feronikelit i kishin shënuar dy gola të pazakontë, të cilët kanë ngjallur dyshime që kanë mundur të kenë qenë të lëshuar.
Mediumet franceze “Le Figaro” dhe më pas edhe “Le Parisien” raportuan për nëntë të arrestuar për këtë rast në Francë, prej tyre katër të Kosovës, mes moshave 22 e 50 vjeç, të cilët kishin lidhje me kompanitë e basteve, që i lëviznin kuotat në mënyrë të çuditshme dhe të dyshimta në rastet në fjalë.
Mediat franceze kanë raportuar se të përfshirë në këtë skandal janë kryesia e klubit, shtabi teknik dhe disa lojtarë të ekipit llapjan.
Thuhet se nga këto ndeshje janë fituar 360 mijë euro, ndërsa një pjesë e tyre janë dërguar edhe në Kosovë dhe në arkën e klubit llapjan përmes njërit prej sponsorëve të këtij klubi.