Një ndërtesë disakatëshe në ndërtim e sipër, buldozer, disa kamionë dhe vinça.
Kjo është ajo që mund të gjendet sot në tokën ku në shkurt të vitit 2023 u zbuluan objekte arkeologjike, mes tyre, më e njohura për opinionin, guri i varrit me mbishkrimin “dardanus”.
Kaq mund të shihnim nga jashtë rrugës, për shkak se kur punëtorët na panë, e mbyllën derën, duke na e zënë pamjet e lokalitetit arkeologji mbi të cilin tani po ndërtohet.
“Dikur ky vend ka qenë me varreza ilire, ku para një viti është gjetur edhe pllakati me mbishkrimin “Dardanus” dhe është larguar nga këtu. Ndërsa tani siç mund ta shihni kanë filluar të ndërtohen ndërtesa”, raporton Fazile Halili, gazetare e TV21.
Kur na u mbyll dera, e vetmja gjë që mund të xhironim nga anash ishin pirgjet e dheut.
Objektet arkeologjike nuk ishin më aty.
Edhe pse pati shumë reagime në opinion, u përfol gjerë e gjatë për të, e u kritikua nëse ndërtohet në këtë zonë, prapëseprapë ndërtesa po bëhet!
Me sa duket, askujt nuk iu bë vonë për gjetjet arkeologjike.
TV21 gjatë gjithë kohës ka ndjekur zhvillimet rreth këtij lokacioni. Pasi u ndryshua qeveria, para dy muajsh e patëm pyetur edhe ministrin e ri të Kulturës për fatin e këtij lokacioni.
Sot me pyetje u drejtuam sërish si te Ministria e Kulturës, po përgjigje nuk morëm.
Pyetje dërguam edhe në Komunën e Karposhit, nën të cilën bie kjo parcelë, të cilët i pyetëm se pse u lejua vazhdimi i punimeve ndërtimore kur u pa se aty ka objekte me vlera arkeologjike dhe a është marrë parasysh ky fakt kur është dhënë leja për ndërtim, por as prej këtu s’morëm përgjigje.
Pa ndonjë sqarim mbetëm edhe në pyetjet që ia nisëm Qendrës për Konservim, se a është bërë ndonjë përpjekje për ta ruajtur lokalitetin dhe ku janë dërguar objektet e gjetura?
Nga të tri institucionet jemi në pritje të përgjigjeve.
Burimi: TV21