Në ditën e katërt të zjarrit në malin e Çikës një vatër vijon të jetë aktive.
Pavarësisht se ditën e djeshme dy avion ‘Canader’ kanë hedhur ujë për shuarjen e flakëve, ato vijojnë të jenë aktive në disa zona.
Avionët kanë fluturuar mbi malin e Çikës katër herë deri në mbrëmjen e djeshme, por zjarri mbi fshatin Palase nuk është shuar ende.
Sipas shtabit te emergjencave civile pranë prefekturës së Vlorës, avionët do të vijojnë sot punën për të shuar flakët.
Ushtarët e Forcave të Armatosura janë larguar nga terreni për shkak se hedhja e ujit nga avionët është rrezik për ta, pasi përplasja me shkëmbin e nxehur nga temperaturat e zjarrit krijojnë çarje (shpërthim).
Ndërkohë që në pjesën jugore të malit të Çikës janë djegur rreth 80 hektarë pyll me bredha dhe shkurre në një vijë 500 metra nga zona mbi fshatin Palasë në afërsi të majës së malit.