Ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit në Maqedoninë e Veriut

min lexim

Rreth 700 gra në vit preken nga sëmundja e kancerit të gjirit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa autoritetet dhe shoqëria civile theksojnë nevojën e ngritjes së ndërgjegjësimit të popullatës për këtë sëmundje. Autoritetet thonë se në vend ekzistojnë aparatura dhe terapi të zhvilluara për trajtimin e sëmundjes. Qeveria ka vendosur që gratë mbi 45 vjeçe të bëjnë testet e detyrueshme për të ulur shkallën e diagnozës me kancerin e gjirit.

Narta Kasa, e cila e ka kaluar sëmundjen e kancerit të gjirit flet për përjetimet e saj kur mësoi për diagnozën gjatë një kontrolli rutinor, ndërsa asnjëherë më parë nuk ishte përballur me probleme shëndetësore. Tani ajo është angazhuar në vetëdijësimin e grave të prekura nga karcinomat apo kanceri i gjirit, ndërsa thekson nevojën për një frymë pozitive në përditshmërinë e pacinetëve.

“Çdo grua pas një detektimi të tillë të fokusohet në zgjidhjen e problemit dhe të mos përqëndrohemi në të gjitha mendimet negative që mund të vijnë nga diagnostikimi. Edhe pse kam qenë e shokuar dhe e kam përjetuar pak rëndë fillimin, shumë shpejt jam kthjelluar , jam përballur me diagnozën dhe e kam tejkaluar duke u përqëndruar në trajtimin, mejkimin dhe gjetjen e zgjidhjes”, thotë zonja Kasa.

Mjeku – onkolog Ilir Ismaili në një bisedë përmes Skype me Zërn e Amerikës thekson nevojën e sensibilizimit dhe nërgjegjësimit të popullatës lidhur me kancerin e gjirit.

“Sa i përket statistikave në vendin tonë, kemi nga 600 deri në 750 raste të reja të diagnostikuara me kancerin e gjirit. Me këtë nënkuptojmë se jo te gjitha rastet e diagnostikuara janë në shkallë të avancuar, por këtu hyjnë të gjitha gratë e diagnostikuara duke filluar nga karconomi më i lehtë deri në shkallën e katërt që është i paoperueshëm”, thotë onkologu.

Doktor Ismaili thotë se një për qind e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje janë meshkuj. Shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit është e ulët, thotë onkologu, ndërsa thekson se krahas klinikës onkologjike të Shkupit janë edhe tre klinika të tjera ku ofrohen trajtimet siç ëstë spitali i Tetovës, i Manistirit dhe Shtipit. Por 90 përqind e rasteve trajtohen në Klinikën shtetërore në Shkup.

Specialistët dhe pjesëtarë të shoqërisë civile vlerësojnë se shoqëria ngadalë po vjen duke u ndërgjegjësuar lidhur me zbulimin e hershëm të sëmundjes.

Liridona Beqiri drejton shoqatën EZRA që merret me nisma të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e sistemit dhe shërbimeve shëndetësore dhe përkrahjen e pacientëve në nevojë. Ajo thotë se kanceri i gjirit tani më nuk njeh gjini.

“Është moment kyç ku duhet ta ngrejmë mendësinë se kjo nuk është luftë që e prekë vetëm gratë, por është një luftë e përbashkët ku duhet të jemi aleatë në të mirë kolektivë të shoqërisë sonë, në këtë shoqëri ku gjykoj se nuk është arritur balanca e duhur gjinore për të pasur mendësinë e duhur se kanceri i gjirit është një sëmundje që godet gjithë familjen pa asnjë lloj ndasie”, thotë zonja Beqiri.

Nismat e shoqatës Ezra për vetëdijësimin rreth kancerit të gjirit mbështeten edhe nga qeveria e Maqedonisë së Veriut. Në një nga seancat e fundit, qeveria mori vendim që gratë të bëjnë kontrolle të detyrueshme shëndetësore dhe të sigurohen pajisje lëvizëse të mamografisë.

Autoritetet shëndetësore dhe mjekët thonë se po i kushtohet vëmendje sëmundjes dhe se nga 1 tetori janë shtuar aktivitetet në kuadër të programit kombëtar për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Ndërkohë, zonja Kasa thotë se është shumë me rëndësi ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit, që do të çonte në kontrolle të rregullta me qëllim të diagnostikimit të hershëm të sëmundjes.

Gjatë pandemisë së koronavirusit spitalet dhe klinika e onkologjisë në Shkup nuk ishin gjithaq të qasshme për pacientët e prekur për të kryer kontrollet sistemore. Edhe tani ka ankesa për vonesë të terapisë. Ekspertët dhe aktivistët theksojnë se vetëdija duhet ngritur edhe në aspektin e kërkimit të ndihmës psikologjike pas prekjes nga sëmundja./VOA

Story i mëparshëm

Lituania zhvillon manovra të mëdha ushtarake me aleatët e NATO-s

Story i radhës

10 tiparet që i bëjnë të lindurit në muajin Nëntor unik dhe special

Të fundit nga