Tre personat që kishin lidhur mbrapa veturës një kalë dhe që e tërhiqnin zvarrë në rrugët e Shkupit, janë ndaluar nga policia mbrëmjen e sotme. MPB-ja bën me dije se ka ndaluar tre persona me inicialet S. S. (24), R. S. (20) dhe A.S. (54) nga Shkupi për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale nga neni. 233 të Kodit Penal (torturimi i kafshëve).
Në rrjetet sociale këto ditë ishte përhapur një video ku shihet një kalë i lidhur mbrapa një veture, deri sa tërhiqet zvarrë në një rrugë në Shkup. Në një moment, drejtuesi i veturës me sa duket rrit shpejtësinë e lëvizjes, pas së cilës kali bie në rrugë. Automjeti më pas ndalon dhe tre burra dalin dhe e ngrenë kalin. Pasi kali është në këmbë, burrat kthehen në veturë.