Tre ditë më parë vendi u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku një vajzë 7-vjeçare humbi jetën teksa lahej në plazh, pasi një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase e goditi atë për vdekje.
Kushëriri i Jonadës së vogël ka thënë se ishin duke u larë në det kur skafi u afrua dhe megjithëse të gjithë po bërtisnin ndalo, drejtuesi ka vijuar të ecë.
“Ishin duke u larë në det dhe në këto momente një skaf i madh u afrua. Kur erdhi pranë skafi mori njerëz në breg dhe në ato çaste goditi fëmijën me helika. Të gjithë ne të tjerët që ishim në breg filluam t’i bërtisnim drejtuesit të skafit: ‘Ndalo se e vrave vajzën’. Drejtuesi i skafit vazhdoi të ecë pa dhënë asnjë ndihmë. Hyra në det dhe e nxora Jonadën e pajetë”, ka thënë ai për BW.
Bazuar nga dëshmitë dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë dhe nga veprimet e Arjan Tases, prokuroria e akuzoi për “vrasje me dashje indirekte”. Në dosje thuhet:
“Nuk ka vrasje nga pakujdesia, por vrasje me dashje pasi drejtuesi i mjetit lundrues që rezulton se kishte patentë ishte në dijeni të rrezikut që i sillte qytetarëve kur hyri në atë perimetër”.