NATO ka ri-pohuar solidaritetin e saj me Ukrainën në “mbrojtjen heroike” të kombit të saj, teksa aleanca “shënon solemnisht” një vit nga “lufta brutale” e Moskës ndaj Kievit, transmeton Anadolu.
“Ne nderojmë jetët e humbura dhe dënojmë vuajtjet dhe shkatërrimet tragjike njerëzore, përfshirë zonat e banuara dhe infrastrukturën civile dhe energjetike të Ukrainës, të shkaktuara nga lufta ilegale e Rusisë”, tha NATO në një deklaratë.
Duke u zotuar për rritje të “mbështetjes së saj politike dhe praktike” ndaj Ukrainës, NATO tha se mbështetja e aleancës do të vazhdojë “për aq kohë sa është e nevojshme për të ndihmuar Ukrainën të mbizotërojë” duke u koordinuar ngushtë me palët përkatëse të interesuara, përfshirë organizatat ndërkombëtare, veçanërisht me Bashkimin Evropian (BE) dhe palët me të njëjtin mendim.
“Derisa ne i kemi bërë thirrje Rusisë që të angazhohet në mënyrë konstruktive në negociatat e besueshme me Ukrainën, Rusia nuk ka treguar ndonjë sinqeritetit të vërtetë ndaj paqes së drejtë dhe të qëndrueshme. Ne mbetemi të vendosur për të mbajtur presionin e koordinuar ndërkombëtar mbi Rusinë”, tha Stoltenberg, duke theksuar se Rusia mban “përgjegjësi të plotë” për luftën.
Aleanca gjithashtu dënoi “të gjithë ata, përfshirë Bjellorusinë, që po lehtësojnë në mënyrë aktive luftën e Rusisë”.
Duke deklaruar se nuk mund të ketë “mos ndëshkim për krimet e luftës” ruse dhe mizoritë e tjera, NATO tha se të gjitha ata që janë përgjegjës duhet të mbahen përgjegjës.
Në deklaratën e aleancës theksohet se Rusia menjëherë duhet të ndalojë këtë luftë dhe të tërheq të gjitha forcat e saj ushtarake nga Ukraina.
“Lufta e Rusisë gjithashtu kërcënon sigurinë globale. Shantazhi energjetik i Rusisë, ndikimi i saj në furnizimet globale të ushqimit, aktivitetet e saj hibride malinje, fushata e saj e dezinformimit në mbarë botën dhe retorika e saj e papërgjegjshme bërthamore tregojnë qartë shpërfilljen e Rusisë për normat ndërkombëtare dhe mirëqenien e miliarda njerëzve në mbarë botën”, theksoi NATO.
Sipas deklaratës së NATO-s, përpjekjet e Rusisë për “të thyer vendosmërinë e popullit të guximshëm të Ukrainës” po dështojnë.
“Një vit më pas, ukrainasit po luftojnë me guxim për liri dhe pavarësi. Ne qëndrojmë me ta”, thuhet në deklaratë.
Të ftuarit e NATO-s, Finlanda dhe Suedia, gjithashtu janë pjesë e deklaratës.