Rusia ka korrur rreth 1 miliard dollarë grurë ukrainas këtë vit, sipas agjencisë amerikane të hapësirës, NASA.
Sipas programit të sigurimit ushqimor dhe bujqësisë së agjencisë , NASA Harvest, 5.8 milionë tonë drithë u korrën në fushat e Ukrainës “tëcilat nuk janë nën kontrollin e Ukrainës”.
Hulumtimi i agjencisë, në bashkëpunim me partnerët e saj të ndryshëm, u bazua në imazhet satelitore.
Në total, të korrat nga territori ukrainas këtë vit ishin rreth 26.6 milion ton grurë , një sasi shumë më e madhe se sa ishte parashikuar, sipas shkencëtarëve të përfshirë në hulumtim.
Ndërsa kjo korrje është më pak se rekordi i vitit 2021, 33 milionë tonë, është afër mesatares pesëvjeçare prej 27.9 milionë tonësh.
Por Ukraina nuk ka akses në 22% të kësaj shume, në pjesën lindore të vendit, për shkak të pushtimit të ushtrisë ruse më 24 shkurt dhe luftës së vazhdueshme.