Tenisti spanjoll Rafael Nadal ka fituar çmimin e “Tenistit më të dashur nga tifozët” (ATP Fans Favourite).
Një vlerësim për ish-numrin 1 në botë, që këtë vit fitoi dy grand slam, duke u ngjitur në kuotën e 22 turneve të mëdhenj të fituar në karrierë.
Interesant fakti se ky çmim, për 19 vite me radhë është fituar nga Roger Federer edhe kur ai nuk ka qenë në formën më të mirë. Zvicerani u tërhoq nga sporti në shtator të këtij viti, duke i hapur kështu rrugën Rafael Nadal të fitojë këtë trofe special.
“Jam super i lumtur që fitoj këtë trofe, më ka bërë krenar. Nuk mund t’i falënderoj dot të gjithë për këtë vlerësim, për mbështetjen që kam marrë në çdo ndeshje që kam luajtur.
Kjo është gjithçka për mua dhe mezi pres të nisë viti 2023, për të ndarë me ju mjaft gjëra të reja. Shihemi së shpejti”, tha Nadal.