Nadal: Urrej të dorëzohem

min lexim

Rafael Nadal zhvilloi një ndeshje të madhe në Wimbledon teksa kaloi në çerekfinale amerikanin Taylor Fritz. Një ndeshje epike e spanjollit teksa në më shumë se katër orë, Nadal ia doli të triumfonte vetëm në setin e pestë me rezultatin e përgjithshëm 3-2.

Ajo që e bëri edhe më të vuajtur kualifikimin e 36-vjeçarit në gjysmëfinale ishte një dëmtim në muskujt abdominalë duke e detyruar Nadal të kërkonte një pushim për të marrë ndihmë mjekësore. Së fundmi, tenisti nga Mallorca ka treguar të rejat në lidhje me dëmtimin duke theksuar se ende nuk e di nëse do të mund të zbresë në fushë të premten për ndeshjen gjysmëfinale ndaj Nick Kyrgios.

“Më duhet të bëj disa teste, por të them të vërtetën nuk e di nëse mund të luaj në gjysmëfinale ndaj Kyrgios. Kam pasur një dhimbje përgjatë gjithë këtyre ditëve, por ndaj Fritz ishte eksperienca më e keqe.

Në këto ditë dhimbjet janë shtuar dhe gjithnjë ka një limit deri ku mund të shkoj. Patjetër që jam i shqetësuar sepse ende nuk ka një vendim nëse mund të vazhdoj apo, më duhet të konsultohem me disa persona dhe duhet t’i bëj gjërat në mënyrën e duhur.

Ka diçka më të rëndësishme se të fitosh në Wimbledon, fjala është për shëndetin.

Gjatë ndeshjes me Fritz më kërkuan ta lija sfidën, jo një herë por në disa raste. Edhe unë vetë mendoja se nuk do të shkoja deri në fund, por është e vështirë të tërhiqesh nga një sfidë. Është diçka që unë e urrej ta bëj dhe nuk është e lehtë të braktisësh Wimbledon edhe nëse dhimbjet janë të forta”, u shpreh Nadal.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kovaçevski: Ashpër i dënojë ngjarjet e mbrëmsme të cilat për fat të mirë nuk rezultuan me fatalitet për qytetarët

Story i radhës

Shenjat e horoskopit që presin fitime këtë muaj

Të fundit nga