“Pavarësisht se kam gjithë këto vite që luaj tenis, gjithnjë nisja e sezonit është e vështirë. Gjithsesi, jam shumë i motivuar për të bërë një paraqitje të mirë në Australian Open edhe pse muajt e fundit nuk kanë qenë të lehtë për mua. Shpresoj të bëj stërvitjen e duhur gjatë dy javëve të mbetura, deri në fiullimin e turneut”.
Është ky komenti që ka bërë tenisti spanjoll Rafael Nadal, rekordmen me 22 grand slam të fituar në karrierën e tij, kampion në fuqi në Australian Open. Numri 2 në botë për meshkuj ka mbërritur në Australi, ku do të luajë në United Cup para se të mbrojë titullin në Melburn, në grand slam-in që nis më 16 janar.
“Në United Cup do të ndihmoj skuadrën. Kam nevojë që të fitoj ndjesitë e mira në fushë, të jem kompetitiv. Jam përgatitur mirë, por të shohim, pasi duke luajtur fitoj ritmin e duhur”, tha Nadal.
I pyetur nëse kjo do të jetë hera e fundit që ai luan në Australi, tenisti spanjoll shprehet:
“Shpresoj që jo. Kur mbërrin në moshën time, nuk e di asnjëherë se kur do të jetë hera e fundit. Jam përqendruar të jap maksimumin në fushë, për të qenë kompetitiv dhe luftoj për gjithçka. Nuk mendoj se kur do të jetë hera e fundit këtu, por të arrij diçka të veçantë”.