Ismet Çekorja, 58-vjeçari i cili u ekzekutua me armë zjarri pranë banesës së tij në Shkodër, vetëm katër ditë më parë doli në një deklaratë për media, ku u shpreh se familjen e tij e sulmojnë “banditë të veshur me pushtet”.
Viktima, djali i të cilit Bajram Çekorja, është shpallur në kërkim për atentatin e dështuar ndaj Alban Bruçit, rrëfeu se prej tri vitesh policia e Shkodrës i është vënë në shpinë të birit dhe familjes së tij pasi për çdo ngjarje kriminale banesa e tyre rrethohet nga policia.
Ai theksoi se 24-vjeçari Bajram Çekorja mbrëmjen e 25 gushtit në orën kur ka ndodhur atentati ndodhej në një mjedis të monitoruar nga kamerat e sigurisë gjë e cila hedh poshtë sipas tij akuzat e policisë.
Deklarata e Ismet Çekores:
Policia ka ardhur në banesën tonë pas vrasjes së Arjan Ferracakut në një kohë që viktima ishte nipi im po ashtu kur u vra edhe Fatos Ferracaku prapë më kanë thirrur mua dhe djalin. Pastaj janë vrarë vëllezërit Bilali dhe sërish policia në banesën time një kohë që kemi kaq shumë vite që jemi fqinj. U plagos Admir Bajri, prapë në banesën time një kohë që familja jonë e ka patur një lloj njohje me familjen e tyre. Po ashtu u qëllua shefi i policisë bashkiake të Malësisë së Madhe sërish në banesën time kur në fakt autorët dolën krejt persona të tjerë.
Rasti i fundit është me Alban Bruçin, djalin e Lad Bruçit të cilin unë e kam shumë mik dhe nuk ka asnjë shans që djali im të qëllojë djalin e tij kur ne kemi shumë miqësi aq më tepër që Bajrami, djali im është i monitoruar me kamera.
Këto sulme ndaj familjes tonë i bëjnë disa bandit, hajdutë biçikletash dhe banditë të veshur me pushtet. Se cila është arsyeja ne nuk e dimë. Ajo që kërkojmë është drejtësia. Djali im është i pafajshëm dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë prej ngjarjeve kriminale për të cilat është i dyshuar. Janë të gjithë inskenime dhe tani ai duhet të qëndrojë rrugash dhe nuk mundet as të punojë as asgjë. Kërkojmë drejtësi dhe të zbardhen ngjarjet