Kanali shtetëror rus, Russia Today (RT), njoftoi të martën se ka nisur transmetimin online të programit në gjuhën serbe. Lajmi është konfirmuar në Twitter nga kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan, me mesazhin: “Ne e nisëm RT-në në Ballkan, sepse Kosova është Serbi”.
Në lidhje me këtë, ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, tha në “Radarin Informativ” në Abc se Rusia po investon të krijojë trazira dhe tensione në Ballkan.
“Ka dëshpërim nga ana e Rusisë, ajo po investon për të hapur një vatër krize dhe tensione ndoshta dhe luftë në Ballkan”, tha Mustafaj.
Kujotjmë se Bashkimi Evropian ka pezulluar transmetimin e disa mediave të mbështetura nga Rusia, përfshirë RT-së, më 1 mars. Blloku evropian ka sanksionuar edhe Margarita Simonyan, kryeredaktore e kanalit të RT-së në gjuhën angleze.
E lancuar më 2005 si Russia Today, është media shtetërore e Rusisë, e cila është zgjeruar në vazhdimësi.Aktualisht ka kanale në disa gjuhë përfshirë ato: angleze, franceze, spanjolle dhe atë arabe.
Pavarësisht operimit në platforma të ndryshme përreth botës, RT është përballur me goditje të mëdha muajve të fundit, pasi kompani të mëdha të teknologjisë kanë bllokuar kanalet e saj për shkak të sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.