Ka nisur tashmë takimi i nivelit të lartë mes ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës në Antalia të Turqisë. Siç duket edhe nga fotot, dy delegacionet janë ulur përballë njëri-tjetrit, ndërsa në mes është shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavusoglu.
Takimi do të zgjasë një orë e gjysmë dhe në fund të tij pritet që delegacionet të dalin në një deklaratë për shtyp veçmas. Siç raportojnë mediat turke, dy delegacionet nuk do të kenë kontakt tjetër përveç takimit që do të zgjasë një orë e gjysmë, ndërsa rusët mësohet se janë vendosur në një hotel të sigurisë së lartë, me xhama të blinduar dhe mure të rrethuar nga fletë çeliku të trasha, përcjell abcnews.al
Ndërkohë, ukrasinasit po qendrojnë në një hotel tjetër me pesë yje, por me elementë sigurie më të ulët.
Takimi është duke u kryer në hotelin Regnum Carya në Belek, i cili është rrethuar nga bllokues valësh dhe qindra policë dhe agjentë të shërbimeve sekrete turke, ruse dhe ukrainase. Krahas bllokuesve të valëve të celularit janë vendosur edhe bllokues valësh për dronët në mënyrë që të mos lejohet asgjë të fluturojë për aq kohë sa liderët janë aty.
Në këtë hotel janë takuar në vitin 2015 edhe Barak Obama me Vladimir Putinin.
Turqia ka marrëdhënie të mira me Ukrainën pasi mes shteteve ka disa marrëveshje për shitje armësh dhe prodhim të përbashkët të dronëve “TB2”, ndërkohë që në një nivel të ngjashëm janë edhe raportet me Rusinë.
Turqia ka blerë sistemet anti-ajrore S-400 duke nxitur zemërimin e amerikanëve, ndërkohë që Rusia po ashtu akuzohet se ka vrarë dhjetra ushtarë turq përmes bombardimeve në Siri.