Gjermania po përballet me mungesë të shumë medikamenteve të rëndomtë, duke vënë në siklet farmacitë dhe duke i lënë prindërit në të gjithë vendin në një situatë të dëshpëruar.
AA bisedoi me një farmacist në Berlin, i cili e quajti situatën shumë të rëndë ndërsa prindërit përpiqen të gjejnë ilaçe për fëmijët e tyre.
“Situata është shumë e vështirë për momentin, veçanërisht për fëmijët, pasi vështirë se mund t’u sigurojë ilaçe”, tha Julian Wawrzyniak, duke shtuar se aktualisht vërehet mungesa e më shumë se 300 ilaçeve.
“Deri te kjo ka ardhur për arsye të ndryshme, pjesërisht për shkak të luftës në Ukrainë si dhe pjesërisht për shkak të çështjeve globale të zinxhirit të furnizimit, koronavirusit, çmimeve të larta të energjisë, kostove të prodhimit. Prodhuesit po përballen me sfida të mëdha”, tha ai.
Një problem tjetër madhor paraqet sistemi i çmimeve të barnave në Gjermani, pasi fondet publike të sigurimeve shëndetësore nuk paguajnë mbi çmimet e përcaktuara ligjërisht për barnat.
Megjithëse, qeveria gjermane njoftoi së fundmi rregullimin e sistemit, Wawrzyniak tha se nuk është vërejtur ndonjë ndryshim i menjëhershëm i situatës.
“Përkundrazi, kam ndjenjën se mund të përkeqësohet sepse për momentin, pasi as shurupi për kollitje nuk është i disponueshëm”, tha ai.
“Shpresoj që gjërat të përmirësohen dhe sigurisht nëse politikanët marrin masat, por për momentin kjo nuk po ndodhë. Shpresoj se gjërat do të përmirësohen ndoshta para pranverës”, shtoi ai.
– Farmacitë ndjejnë presionin
Sipas Institutit Federal Gjerman për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore (BfArM), barnat që aktualisht nuk janë të disponueshme në vend përfshijnë antibiotikë, ilaçe për diabetin, ilaçe kundër kancerit, antihipertensivë dhe qetësues kundër dhimbjeve.
Një nga arsyet kryesore për pengesën e furnizimit është mungesa e dërgesave nga vendet si Kina dhe India, sipas BfArM.
Rreth 80 për qind e medikamenteve që shiten në vend janë gjenerikë të prodhuar në vende si Kina dhe India. Në rastin e antibiotikëve, për shembull, gjenerikët kanë një pjesë të tregut 100 për qind në Gjermani.
Wawrzyniak shtoi se ”mungesa e ilaçeve i ka vënë farmacitë nën presion të jashtëzakonshëm javët e fundit”.
Burimi: GAZETA.MK