Shkruan: Shpëtim POLLOZHANI
Në 13 shtator në objektin e Universitetit të Tetovës në Kumanovë, në organizim të Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë Shqiptarë – Dega në Kumanovë, u mbajt një takim përkujtimor me ish të burgosur dhe intelektualë, për ta shpalosur veprimtarinë e atdhetarit dhe bashkëvuajtësit nëpër kazamatet i ish Jugosllavisë – Muharrem Shaljani nga Kumanova, i cili konsiderohet një nga veprimtarët më pjellorë të ilegales shqiptare të ish-sistemit komunist.
Sa produktive ka qenë veprimtaria e tij; portretizohet në Romanin historik “Dosja”, i cili është nga librat e rallë që rrjedh nga dokumente të Arkivit të Shtetit, nga memorja jonë kolektive, ku përmenden emra, dhe data, qindra aktivitete ilegal, pa lënë anash edhe emrat e dhjetëra kodoshëve, të cilët i kanë bërë dëm të madh lëvizjes sonë për liri dhe bashkim kombëtar.
Në romanin “Dosja”, prezantohen mbi 1.500 dokumenta të nxjerra nga Arkivi i Shteti; pas miratimit të Ligjit për hapjen e dosjeve në vitin 1995. Nga materialet e nxjerrë nga dosja e tij, ndër të tjera thuhet: “Territoret shqiptare në Jugosllavi janë të okupuara…jemi shqiptarë nuk jemi jugosllavë”…!
Romani “Dosja” ka vlerë të madhe arsimore dhe historike, por është edhe një udhërrëfues drejt rrugës së lirisë.
Në libër flitet për taktikat e UDB-ës, për persekutime, përndjekje dhe përpunim 24-orësh të të përndjekurve politikë shqiptarë.
Muharrem Shaljani do të ngelë ikonë e lëvizjes sonë kombëtare, i cili me bashkëveprimtarët Gani Syla, Haxhi Maliqi, nuk dekonspiruan asnjë bashkëveprimtar të organizatës, e cila përfshinte qindra veprimtarë…
Tanimë i ndjeri ishte intelektual-jurist, me kapacitet intelektual, mendje kreative; me aftësi të pashoqe konspirative dhe organizative.
Autoportreti i tij; Romani “Dosja”, mund të përdoret për studiuesit si dokument autentik për të dëshmuar veprimtarinë dhe luftën e shqiptarëve për liri dhe bashkim.
Librat si “Dosja”, ndihmojnë në ruajtjen e vetëdijes tonë kolektive, por edhe për të demasku ish-pushtetin satrap komunist.
Libra të këtillë ndihmojnë në ruajtjen e vetëdijes kombëtare, duke nxjerrë mësime nga e kaluara… Kujtimet e autotit, nëpërmjet Romanit “Dosja”, japin mundësinë të krahasohet versioni i pushtetit komunist me të vërtetat e dokumentuara të represionit kundër shqiptarëve…
Në “Dosja”, flitet për personazhe, të cilët gjeneratave të reja duhet tu shërbejnë për të ndërtuar një moral të ri politik; jopartiak, për ta sendërtuar amanetin e Muharrem Shaljanit. Romani “Dosja” duhet të futet në programin e shkollave të mesme, sepse aty portretizohet një pjesë e identitetit tonë kombëtar, mbështetur me emra, data dhe dokumenta atkivor.
Lavdi veprës së Muharrem Shaljani dhe familjes së tij, e cila e përkraku në gjithë veprimtarinë atdhetare dhe intelektuale!
Burimi: lajmpress.org


